Në 26-vjetorin e rënies përkujtohen martirët e familjeve Lipaj, Zeqiraj dhe Mehaj në Istog

Në 26-vjetorin e rënies së martirëve të familjes Lipaj-Zeqiraj-Mehaj sot u përkujtuan me nderim e dhimbje një nga kapitujt më tragjikë ndaj kësaj familjeje, që mbetet dëshmi e gjallë e krimeve serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Në një njoftim të Komunës së Istogut thuhet se në këtë përvjetor, në mesin e të pranishmëve ishin nënkryetari i komunës, drejtues të drejtorive komunale, familjarë të martirëve e dëshmorëve, veteranë e invalidë të UÇK-së dhe shumë qytetarë që kishin ardhur për të nderuar gjakun e derdhur për liri.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Ilir F. Ferati, u shpreh: “Bujaria e familjes Zeqiraj, që dikur hapi dyert për luftën dhe për të nevojshmit, u shndërrua në shenjë të krimit – por edhe në simbol të qëndresës. Ata që ranë në këtë shtëpi, sot janë gurthemeli i Kosovës së lirë. Prandaj, përkulemi me nderim dhe themi me bindje: Lavdia e tyre është përjetësia jonë”.