Ndryshon gjithçka, FSHF tregon se si mund të blini biletat për ndeshjen Shqipëri – Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar tifozët se si mund të blihen biletat për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

FSHF ka njoftuar se për shkak të interesit të jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi, tifozët që duan të kenë një biletë duhet të ndjekin një procedurë të posaçme dhe një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë.

Çdo aplikant mund të kërkojë të blej deri në katër bileta.

Njoftimi i plotë nga FSHF (pa ndërhyrje):

Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata e Futbollit njofton se do të ndjekë një procedurë të posaçme për shitjen e biletave, me qëllim menaxhimin sa më efikas të kërkesës së lartë nga tifozët shqiptarë.

Duke qenë se kërkesat pritet të tejkalojnë kapacitetin e stadiumit, FSHF bën me dije se nuk do të ketë shitje të menjëhershme të biletave, por do të ndiqet procedura e mëposhtme:

–              Tifozët do të kenë mundësinë të plotësojnë një formular aplikimi elektronik, për të shprehur interesin e tyre për të siguruar bileta. Ky formular do të publikohet nga FSHF më 15 maj 2025.

–              Çdo aplikant mund të kërkojë deri në 4 bileta.

–              Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, do të kryhet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike përmes shortit kompjuterik të aplikantëve, të cilët do të kenë më pas mundësinë për të blerë biletat.

–              Të përzgjedhurit do të njoftohen disa ditë para ndeshjes nëpërmjet adresës së tyre elektronike.

–              Pas njoftimit, ata do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, në periudhën 30 maj – 2 qershor 2025.

–              Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen në adresën e regjistruar të emailit.

FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.