Administrata Tatimore e Kosovës ka hyrë në një fazë të re të riorganizimit të brendshëm. Drejtori i sapoemëruar, Mentor Hyseni, i vendosur në krye të ATK-së nga Qeveria Kurti, ka nisur ndryshime në strukturën e institucionit. Ky ristrukturim, sipas vendimeve të tij të para, ka prekur nivelet më të larta të menaxhimit dhe ka sjellë rikategorizime të pozitave të rëndësishme, shkruan Demokracia.com.
Në mesin e lëvizjeve më të bujshme është ajo e Nijazi Asllanit, i cili deri dje ishte zëvendësdrejtor i përgjithshëm i ATK-së, ndërsa tash është degraduar në postin e drejtorit të një departamenti. Kjo rënie në hierarki vjen në kohën kur emri i tij është përmendur në disa kallëzime penale dhe në një nga aferat më të mëdha të viteve të fundit – skandali i 900 mijë eurove ryshfet.
Vendimet e drejtorit të ri kanë prodhuar këtë strukturë të re udhëheqëse, sic ka mësaur Demokracia.com:
-
Isen Lipovica – Ushtrues detyre i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm 1
-
Nijazi Asllani – Drejtor i Departamentit për Procedura dhe Kualitet të Mbledhjes
-
Alban Qerimi – Drejtor i Departamentit për Shërbim, Gjoba dhe Ndëshkime për DTM, DTMS, Prishtina 1, 2 dhe 3
-
Ibrahim Çoçaj – Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mesëm (DTMS)
-
Merita Shoshi – Drejtoreshë e Departamentit Tatimor Rajonal Prishtina 1
-
Valbona Krasniqi – Udhëheqëse e Divizionit për Avokim të Tatimpaguesve
-
Burim Troni – Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 1
-
Valdet Bektashi – Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 2
-
Teuta Morina – Udhëheqëse e Divizionit për Trajnime dhe Zhvillim
-
Xhylieta Haxhijakupi – Ushtruese detyre e Udhëheqëses së Divizionit të Burimeve Njerëzore
-
Sahit Mulliqi – Ushtrues detyre i Udhëheqësit të Divizionit për Koordinim dhe Logjistikë
-
Fatmire Dragusha – Këshilltare Tatimore në DTM
-
Gazmend Dobra – Zyrtar i mesëm i Mbledhjes së Detyrueshme
-
Iliriana Sheremeti – Zyrtare e lartë për Avokim të Tatimpaguesve
Ndryshimet e tilla, të shtrira nga drejtori i përgjithshëm deri në nivele të mesme menaxheriale, shihen si tentativë e Hysenit për ta vendosur një kontroll të ri mbi institucionin dhe për ta distancuar nga figurat e përfolura në skandale. Megjithatë, fakti që një prej emrave më të kontestuar, si Nijazi Asllani, ende mbetet në strukturë, ndonëse i degraduar ngre dyshime mbi sinqeritetin dhe qëllimin real të këtyre lëvizjeve.
Rasti i Asllanit është veçanërisht i rëndë. Ai është përmendur nga biznesmeni Feim Pulaj në akuzat e tij publike se zyrtarë të ATK-së i kishin kërkuar 900 mijë euro ryshfet rreth 30% të shumës së një rimbursimi të pretenduar, për ta mbyllur çështjen e tij tatimore. Pulaj kishte denoncuar se ishte shantazhuar me fjalët: “4-5 vjet ke me u sjellë nëpër prokurori e gjykata nëse nuk e jep këtë shumë.”
Ky rast lidhet me një hetim të madh të vitit 2024, kur Prokuroria ngriti dyshime për përdorimin e faturave fiktive në vlerë rreth 18 milionë euro dhe tentim-rimbursim të TVSH-së prej 2.8 milionë eurosh. Pulaj, bashkë me 12 zyrtarë të ATK-së, u arrestuan atë kohë, por procesi gjyqësor mbeti pa epilog të qartë.
Së fundmi, Pulaj ka akuzuar ATK-në edhe për falsifikim dokumentesh dhe shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore. Ai pretendon se administrata ka fabrikuar një barrë tatimore të rreme, duke përfshirë pronat e prindërve të tij të ndjerë në dokumente zyrtare, me qëllim që të bllokoheshin dhe të paraqiteshin si prona të tij personale. Pulaj e cilëson këtë si “krim shtetëror të organizuar” ku sipas tij kanë bashkëpunuar punonjës tatimorë dhe zyrtarë kadastralë.
Akuzat e tij arrijnë deri aty sa të flitet për uzurpim pronash në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, të cilat e kishin shpallur borxhin tatimor të jashtëligjshëm.
Përplasja mes Pulajt dhe ATK-së, e cila ka vite që zhvillohet në opinion publik dhe në sallat e gjykatave, shpalos një realitet të rëndë: një institucion i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbledhur tatimet, akuzohet nga vetë bizneset për korrupsion, falsifikim dhe abuzim me pushtetin. Ndryshimet e fundit të drejtorit të ri mbeten për momentin më shumë një test – për të parë nëse janë hap i parë drejt pastrimit të ATK-së, apo vetëm një riorganizim formal që lë skandalet nën tepih.
Mentor Hyseni, emëruar së fundmi Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës nga Ministria e Financave, lidhet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Në vitin 2019, Hyseni ishte kandidat për deputet nga LVV, por nuk arriti të fitojë mandatin.
Ka shërbyer si anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dhe më pas si kryesues i këtij bordi.
Gjithashtu ka qenë i angazhuar profesionalisht në fusha të financave publike dhe menaxhmentit brenda institucioneve publike, si dhe në pozita të tjera përmbledhëse brenda Qeverisë. /Demokracia.com/