Ndryshime në shërbimet e mensës dhe orarin e konvikteve gjatë muajit të Ramazanit

Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar për disa ndryshime të përkohshme në shërbimet e mensës dhe rregulloren e hyrje-daljeve në konvikte, për t’iu përshtatur nevojave të studentëve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas njoftimit, studentët që agjërojnë do të mund të marrin shujta të thata të paketuara për syfyr, të cilat do të shpërndahen çdo ditë gjatë orarit të drekës në një linjë të veçantë të ushqimit, njofton Klankosova.tv.

Ndërkohë, për shkak të mbingarkesës gjatë kohës së iftarit, do të hapet një linjë shtesë në mensë, ku ushqimi do të servohet i paketuar për ta marrë me vete dhe konsumuar në dhomat e konvikteve.

Poashtu, është vendosur që hyrje-daljet në konvikte të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundimin e syfyrit, për t’u mundësuar studentëve sigurimin e ushqimit apo nevojave të tjera.

Ky ndryshim orari do të jetë në fuqi vetëm gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa pas përfundimit të tij, rregullat e mëparshme do të rikthehen.

Qendra e Studentëve thekson se këto masa janë ndërmarrë për të lehtësuar studentët gjatë muajit të agjërimit dhe për të siguruar kushte më të përshtatshme për ta.