Ndodhi edhe kjo: Kurti në Amerikë, takon kryeministrin belg e jo amerikanët

Kryeministri i  në detyrë, Albin Kurti, edhe pse gjendet në Nju Jork në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, takimin kryesor e ka zhvilluar me kryeministrin e Belgjikës. Ndërsa udhëheqësit amerikanë kanë mbetur të paarritshëm për të. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e mundësitë me interes të përbashkët, sipas njoftimit të Kryeministrisë, ishin çështjet kryesore të diskutimit.

Në mesin e tyre, thuhet se theks të veçantë pati bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe rritja e shkëmbimeve tregtare.

Në komunikatë kujtohet se si së fundmi, Brukseli zyrtar ka njoftuar se do të mirëpresë atasheun e mbrojtjes së Kosovës, kurse në muajin korrik, në një tjetër hap të rëndësishëm për thellimin e raporteve në fushën e mbrojtjes, ministritë e mbrojtjes së dy vendeve nënshkruan Deklaratën e Qëllimit të Përbashkët në këtë fushë.

“Kryeministri u shpreh se këto zhvillime janë pozitive dhe të rëndësishme për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona, por në të njëjtën kohë për paqen dhe sigurinë, marrë parasysh kompleksitetin dhe brishtësinë e situatës gjeopolitike globale”, u tha në komunikatë.

Gjatë takimit, Kurti thuhet se e falënderoi De Weverin për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj shtetit të Kosovës, për kontributin e vazhdueshëm në fushën e sigurisë dhe për angazhimin tonë të palëkundur për integrim evropian dhe NATO.

“Ky takim bilateral, që njëherësh ishte i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryeministrit De Wever, u zhvillua në hapësirat e Misionit të Përhershëm të Belgjikës në Kombet e Bashkuara”, u potencua në komunikatën e Kryeministrisë.

Gjatë ditës, Kurti takoi edhe kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self, të cilin e mirëpriti në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York, me të cilin tha se diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA.