E pazakontë në futbollin kosovar. Fushë Kosova ka mbetur pa kryesi prej se është dënuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për manipulime, përkatësisht kurdisje. Me këtë rast klubi bardh e kaltër në edicionin e ri do të garojë në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.
Pas largimit të kryesisë, klubi duket se ka mbetur në duart e tifozëve, të cilët e kanë marrë përsipër riorganizimin e klubit, ngritjen dhe përmirësimin e imazhit nga kurdisjet.
“Ne si ‘PAMPURA’ jemi duke punuar maksimalisht dhe pa ndërprerë për të rikthyer klubin tonë të zemrës, njëherësh edhe për ta rikonstruktuar totalisht tashmë kemi arritur të këndellim shumë gjëra prej ditës që kemi marrë drejtimin dhe përgjegjësit e klubit tonë të qytetit. Ne jemi zotuar të jemi shumë transparent dhe të hapur në secilën sferë që punojmë rreth klubit”, thuhet në njoftimin e tifozëve, të cilët tregojnë se po përkrahen dhe po ndihmohen edhe nga ajo që e dënoi Fushë Kosovën – Federata e Futbollit.
“Synimi një dhe i vetëm. Këndellja e klubit, pastrimi i emrit dhe kthimi i klubit aty ku e ka vendin”, thuhet në postimin tjetër të “Pampurave” në Facebook.