Bayern Munich ka marrë barazimin e dytë për këtë sezon në Bundesligë, sërish me shifrat 2-2, këtë herë në fushën e vetë ndaj Mainz. Ishte Lennart Karl i cili zhbllokoi shifrat në minutën e 29-të, 17-vjeçari shënoi pas asistit të Serge Gnabry.
Ky është goli i tretë për të në Bundesligë dhe i gjashtë në të gjitha kompeticionet. Lennart Karl ka shënuar katër gola në pesë ndeshjet e tij të fundit si titullar për Bayernin në të gjitha garat.
Në fund të pjesës së parë, Kacper Potulski zuri në befasi bavarezët duke barazuar shifrat me kokë, pas pasimit që mori nga goditja e dënimit. U desh edhe ndërhyrja e VAR, por goli i mbrojtësit polak ishte i rregullt.
Në minutën e 66-të, Lee Jae-Sung shënon një gol shumë të bukur me kokë, duke mposhtur Neuer dhe duke heshtur “Allianz Arena-n”. Mesfushori nga Koreja e Jugut shënoi pas asistit të marrë nga Stefan Bell. Në minutën e 86-të, Harry Kane barazoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar nga vetë sulmuesi anglez, pas një kontakti brenda në zonë. Rezultati final, 2-2.
Pas këtij barazimi, Bayern Munich kryeson renditjen me 38 pikë, 9 pikë më shumë se dy ndjekëset më të afërta, Leipzig dhe Dortmund. Mainz mbetet në vendin e fundit me vetëm 7 pikë.
The post Ndodh e pabesueshmja! Ekipi i vendit të fundit ndal Bayern, Kane shpëton bavarezët nga penalltia (video) appeared first on Telesport.









