Gjykata e Durrësit ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit Klodian Berisha dhe Erion Ndoni. Të rinjtë akuzohen se ndihmuan autorët në ekzekutimin e Ermir Dedja, krim i ndodhur disa javë më parë në Durrës.
Dedja dyshohej si anëtar i organizatës së Avdylajve në Shijak, ndërsa kishte edhe precedentë penalë të mëparshëm. Në kërkim për krimin janë edhe tre persona të tjerë. Kurse Ndoni dhe Berisha akuzohen se sollën nga jashtë vendit makinat që u përdorën për atentatin dhe transportin e autorëve të ekzekutimit.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit:
1. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të datës 03.06.2025 të personave nën hetim E. N. dhe K.B., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, parashikuar nga neni 174/2 të Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim E. N. dhe K.B.
3. Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
The post Ndihmuan në ekzekutimin e anëtarit të Avdylajve, Gjykata lë në burg dy të arrestuarit appeared first on Lapsi.al.