Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacion në Ferizaj

Policët në Ferizaj, në dy raste të ndara, ka ndëshkuar dy shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik.

Njëri rast ka ndodhur të shtunën në fshatin Sazli të Ferizajt, ku është ndalur shoferi Z.N. (31 vjeç), i cili, duke drejtuar veturën “Peugeot 308” me targa vendore, është kapur duke lëvizur me 119 km/h në zonë me kufizim 50 km/h.Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative, si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 3 muaj.

Sipas Policisë, “rasti tjetër është evidentuar sot në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, pasi është ndalur shoferi V.J. (40 vjeç), i cili është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit. Pas verifikimit ka rezultuar se kjo ishte hera e tretë e kësaj kundërvajtjeje”.

Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 3 pikë negative, si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj.

Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të mos përdorin telefonin gjatë ngasjes, pasi këto veprime paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.