Ka ndërruar jetë veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Hoti, shkruan Fokusi.info.
Lajmin e ka dhënë, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Shumë e dhimbshme vdekja e Hasan Ali Hotit, ushtarit sypatrembur të lirisë. E thërrisnim Cani i Ali Shabanit, e ai vinte nga një familje me trashëgimi të pasur morale e atdhetare.
Cani iku shumë herët, në moshën 52-vjeçare, dhe keqardhja e dhembja janë të patreguara. Para fillimit të luftës kryente detyra specifike në Lëvizjen ilegale, ndërsa gjatë luftës ishte pjesëtar i njësiti elitar të LKÇK-së e më pas të UÇK-së. Nuk ia përtonte të ndërmerrte rreziqe e rrugëtime të mundimshme për të furnizuar me materiale lufte bashkëluftëtarët. I dashur dhe i hareshëm me miq e shokë, por i ashpër e i pa kompromis me armikun. Aktivitetin luftarak, si pjesë aktive e njësitit të gatishmërisë së përhershme luftarake në Ratkoc e Anadrini, e përfundoi me nder e krenari në Koshare, ku si pjesëtar i njësitit “Delta” thyen gardhin e hekurt që i ndante shqiptarët. U kthye triumfalisht në vendlindje dhe vazhdoi jetën familjare me përkushtim. Ishte i respektuar dhe dinte të respektonte vlerat. Do të na mungojnë shakatë e tij të sinqerta e miqësore dhe dashamirësia e Canit.
Ngushëllimet e mia familjes së Canit më duken të pamjaftueshme për të shprehur dëshpërimin e madh që ndjej në këto çaste.
Pushoftë në paqen e përjetshme Cani ynë! Dritë pastë shpirti YT!
SL
https://www.facebook.com/100044281546921/posts/267093128110070/