Ndërprehet “Pressing”-u, Parim Olluri dhe Nezir Kraki nisen drejt njëri-tjetrit për t’u përplasur fizikisht

 

Në emisionin “Pressing” ndodhi një incident mes Nezir Krakit nga partia Guxo dhe gazetarit Parim Olluri, i cili për pak sa nuk përfundoi në përleshje fizike.

Gjatë debatit të ashpër, Kraki dëgjohet duke i drejtuar Ollurit fjalët “Qyp atje zagar”, pas çka tensionet u përshkallëzuan.

Menjëherë më pas, Olluri shihet duke u ngritur e duke u drejtuar në drejtim të Krakit, ndërsa transmetimi televiziv ndërpritet në atë moment.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se gjuha e vrazhdë politike që po promovojnë politikanët ka ngritur nivelin e polarizimit të shoqërisë. Ai ka bërë me dije se kjo gjuhë është bërë burim i dhunës që po rritet gjithandej. Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se duhet të ndalet ky fenomen. “Gjuha e vrazhdë politike që po promovojnë politikanët ka ngritur nivelin e polarizimit të shoqërisë dhe është bërë burim i dhunës, e cila po rritet gjithandej. Për ta ndalur këtë fenomen, duhet të kundërshtojmë me forcë gjuhën e ashpër politike që ndan shoqërinë dhe si pasojë, nxit dhunën fizike”, ka shkruar ai.