Kosova po vazhdon të mos ketë institucione që nga muaji shkurt kur vendi pati zgjedhjet e fundit. Si pasojë e kësaj, me ‘konsensus’ të partive u shpallën zgjedhjet e reja. Por, a do të prodhojnë ato përfundimisht një qeveri të re, që nënkupton bashkëpunim mes partive për ta formuar atë, varësisht nga rezultatit që do ta prodhojë procesi elektoral? Ambasadori Christopher Hill, nga Tirana, ua kujtoi kosovarëve që ndërkombëtarët i kanë gajlet e veta dhe se institucionet në Kosovë s’janë brengë e tyre. Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, në një prononcim për Express flet për dy skenarë me të cilët mund të përballet skena politike.
Alma Baxhaku
“Komuniteti ndërkombëtar ka 1 mijë gjëra të tjera për t’u shqetësuar përveç pjesës së krijimit të qeverisë në Kosovë”.
Ish-ambasadori amerikan, Christopher Hill, në një intervistë së fundi ka paralajmëruar për vëmendjen e paktë të komunitetit ndërkombëtar karshi Kosovës e Ballkanit me gjithë konfliktet që po ndodhin nëpër botë. Ai tha se shqetësimi i tyre tashmë ka në fokus luftën në Ukrainë ku një kohë të gjatë fuqitë e mëdha po orvaten për të siguruar një marrëveshje paqeje.
Në rrethanat e reja gjeopolitike, Kosova për gati një vit ka mbetur pa qeveri meqë zgjedhjet e 9 shkurtit ndonëse nxorën me një përqindje të lartë Lëvizjen Vetëvendosje fituese, partia e Albin Kurtit nuk arriti të formonte institucionet për të adresuar sfidat e reja.
Hill tha se urgjencën për të pasë institucione duhet ta kuptojë klasa politike në Kosovë.
“Unë e di që kemi amerikanët, kemi Bashkimin Europian, i cili punon me problemet në Ballkan, por unë mund të them atë që iu ndodh kryeqyteteve. Nuk është se ne ulemi të shqetësuar për Ballkanin. Jemi duke u shqetësuar për Ukrainën, çfarë do të bëhet atje”, tha Hill në Euronews Albania.
Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se është e vërtetë që Kosova nuk është në agjendën ndërkombëtare meqë një rajon nuk mund të qëndrojnë në majë të vëmendjes ndërkombëtare për tri dekada.
“Christopher Hill, ambasadorë të tjerë, apo edhe një person me logjikë të shëndoshë, e di mirë se komuniteti ndërkombëtar e ka lënë anash Ballkanin Perëndimor dhe me të drejtë, sepse asnjë rajon nuk mund të mbetet në krye të agjendës ndërkombëtare për tri dekada rresht. Është e qartë që nuk e kemi më relevancën që kishim në vitet ’90. Për SHBA-në dhe BE-në, çështja e Ukrainës është tashmë elefanti në dhomë, krahas hotspot’eve të tjera globale ku përqendrimi dhe kapitali politik janë të fokusuara. Në këtë kontekst, Kosova si një vend i vogël thjesht nuk është prioritet në agjendën e sotme gjeopolitike”.
Kjo mungesë vëmendjeje e komunitetit ndërkombëtar reflektohet edhe në politikën e brendshme, thotë Emini.
“Në të kaluarën, kur rajoni ishte më i rëndësishëm, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ambasadat e SHBA së dhe BE së, ushtronin presion më të madh për të krijuar kohezion mes partive politike, për të formuar qeverinë dhe për të kaluar agjendën e Kosovës në rajon e më gjerë. Sot, pa këtë presion të jashtëm, është e qartë se po hasim vështirësi për të zgjidhur krizat tona politike në mënyrë të pavarur. Kjo dërgon një mesazh shqetësues mbi aftësinë e Kosovës për të menaxhuar plotësisht çështjet e saj shtetërore”.
Emini s’ka fort besim se zgjedhjet e reja do të mund ta ndalin krizën në të cilën është zhytur Kosova që nga shkurti. Ajo s’pret rezultate që do të ndryshonin drastikisht përbërjen e Parlamentit dhe e vë në pah problematiken për zgjedhjen e Presidentit pasi Vjosa Osmani ta përfundojë mandatin e saj në prill.
“Duke qenë në prag të zgjedhjeve, pas datës 28 dhjetor, skena politike do të mbetet po aq e polarizuar sa ishte deri tani. Partitë shpresojnë të ndryshojnë pak rezultatet e zgjedhjeve në favor të tyre për të influencuar negociatat për formimin e qeverisë, por realissht rezultati ka gjasë të jetë i ngjashëm me atë të shkurtit. Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën absolute, gjë që nënkupton se në mungesë të marrëveshjes për çështje kyçe, sidomos pozitën e presidentit, ka shumë mundësi që kriza të vazhdojë. Përveç nëse partitë ulen dhe bien dakord për këtë, bllokada do të mbetet. Vetë Kurti ka lënë të kuptohet se mund të kemi zgjedhje të reja në dhjetor ose edhe në pranverë nëse nuk arrihet marrëveshja, duke ripërsëritur praktikisht skenarin e shkurtit”.
Heqjen e vijave të kuqe për Lëvizjen Vetëvendosje nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës e sheh si “një potencial të vogël”, por Emini thotë se kjo nuk mjafton për të garantuar formimin e qeverisë.
“Çështja kryesore mbetet pozita e presidentit. Situata aktuale politike jep dy skenarë të mundshëm: ose do të vazhdojmë me një krizë të zgjatur, ose do të zhvillojmë zgjedhje të reja. Në përgjithësi, perspektiva për një qeveri stabile menjëherë pas 28 dhjetorit nuk duket në horizont, pasi polarizimi politik dhe mungesa e kompromisit mbeten pengesa të mëdha, edhe kur në lojë është interesi kombëtar”.
Thirrjet janë shpeshtuar edhe nga ambasadorë të huaj në vend që këto zgjedhje të dhjetorit të mos e përsërisin skenarin e njëjtë.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, në disa takime që pati me liderë partiakë në Kosovë, foli me shpresë që Kosova të krijojë institucionet shpejt për të vazhduar rrugën e saj të nisur drejt integrimit në organizata ndërkombëtare.
“Patëm një diskutim të mirë, duke shpresuar që institucionet do të formohen sa më shpejt të jetë e mundur në vitin e ri, në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje të angazhohet plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të bëjë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, tha Hargreaves pas një takimi që zhvilloi ditë më parë me Ramush Haradinajn e AAK-së.
Ndërkaq, në takimin që kishte me Lumir Abdixhikun e LDK-së, ambasadori britanik pati edhe një pritje tjetër nga liderët kosovarë.
“Shpresa ime ishte që fushata zgjedhore të zhvillohej pa probleme, me synimin që pas zgjedhjeve të bashkëpunojmë për të mirën e vendit dhe të popullit të Kosovës”.











