Ndërgjegjësim qytetar në Ferizaj, 61-vjeçari gjen para në rrugë – i dorëzon në polici

Sot rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Cakolli, 61 vjeç, i cili ka dorëzuar një shumë të parave që i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.

Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit, ndërsa për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar një “Shënim zyrtar”. Aktualisht, shuma e parave po mbahet në stacionin policor të Ferizajt.

Policia fton qytetarin – pronarin e ligjshëm të kësaj shume parash, që të paraqitet në stacionin policor për verifikim dhe për të tërhequr mjetet e tij.

Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarin A. Cakolli për gjestin e tij shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare.