Ish-kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka publikuar disa të dhëna rreth mandatave që kanë fituar partitë politike në të gjitha komunat.
Sipas të dhënave të publikuara ndarja e mandatave në komuna paraqet numrin e përgjithshëm të votave të fituara nga secili subjekt politik.
“Kjo analizë ofron një pasqyrë të qartë mbi performancën elektorale të partive dhe përfaqësimin në asambletë komunale”, ka shkruar Ahmetaj.
Bazuar në të dhënat që ka publikuar Ahmetaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë gjithsej 187,494 vota, duke fituar 206 mandate në komunat e vendit.
Një garë shumë e ngushtë është shfaqur mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka siguruar 183,164 vota dhe 202 mandate.
Lëvizja Vetëvendosje renditet si forca e tretë politike në nivel lokal me 168,592 vota dhe 178 mandate të fituara në të gjitha komunat.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 87,355 vota dhe 99 mandate, ndërsa Lista Serbe që përfaqëson komunitetin serb me 40,719 vota dhe 118 mandate.
Nisma Socialdemokrate ka marrë 20,805 vota dhe 24 mandate, GUXO ka marrë 10,977 vota dhe 8 mandate.
“Në përgatitjen e ndarjes së mandateve për secilin subjekt politik në secilën komunë, janë marrë rezultatet e verifikuara në QKN, rezultatet e votave jashtë vendit, me kusht dhe VPNV të numëruara në QNR. Këtu nuk përfshihen rezultatet nga rinumerimet në QNR”, ka shkruar Ahmetaj.
Këto rezultate tregojnë për një balancë të fuqishme mes partive të mëdha, duke parashikuar një dinamikë interesante në asambletë komunale në katër vitet e ardhshme.