Politikani populist i ekstremit të djathtë që fitoi raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të anuluara të Rumanisë vitin e kaluar, u ndalua në trafik nga policia të mërkurën dhe u dërgua për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, tha ekipi i tij i komunikimit.
“Calin Georgescu ishte gati të paraqiste kandidaturën e tij të re për presidencën”, tha ekipi i tij në Facebook. “Ai u dërgua për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Përgjithshme”, raporton AP.
Nuk ishte menjëherë e qartë pse prokurorët po merrnin në pyetje 62-vjeçarin Georgescu ose nëse ai do të akuzohej.
Georgescu në Facebook tha se autoritetet “po kërkojnë të shpikin prova për të justifikuar vjedhjen e zgjedhjeve dhe të bëjnë gjithçka për të bllokuar kandidaturën time të re për presidencën”. Ai u bëri thirrje mbështetësve të marrin pjesë në një protestë të shtunën në Bukuresht.
Qindra mbështetës u mblodhën jashtë zyrës së prokurorit, duke valëvitur flamurin e Rumanisë dhe duke brohoritur: “Lironi Georgescun!” dhe “Presidenti Georgescu!”
Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu tha në X: “Gjyqësori është i pavarur dhe ligji duhet të zbatohet pavarësisht nga personat”.
Gjykata Kushtetuese ndërmori hapin e paprecedentë për të anuluar zgjedhjet dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit pas fitores së papritur të Georgescut në raundin e parë. Ai kishte deklaruar zero shpenzime për fushatën.
Shpejt u shfaqën akuza për ndërhyrje ruse dhe shkelje zgjedhore.
Mijëra protestues dolën në rrugët e Bukureshtit të shtunën për të mbështetur Georgescun, i cili në mënyrë të përsëritur ka mohuar çdo keqbërje dhe ka argumentuar se zgjedhjet janë “anuluar në mënyrë të paligjshme dhe jokushtetuese”.
Raundi i parë i përsëritjes së zgjedhjeve është caktuar për më 4 maj. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, balotazhi do të pasojë më 18 maj.