“Ndalohet digjitalizimi, vazhdon zhvatja e bizneseve me arkat e vjetra fiskale” — Murati reagon pas vendimit të Gjykatës Supreme

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që hapte rrugën për arkat fiskale digjitale në Kosovë, përcjell KosovaPost.

Në një postim publik, Murati ka akuzuar gjykatën se me këtë vendim po ndal procesin e shumëpritur të digjitalizimit dhe po i detyron bizneset të vazhdojnë të përdorin arkat e vjetra fiskale, të cilat sipas tij, kanë kosto të mëdha për tatimpaguesit.

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon,” ka shkruar Murati.

Ai ka bërë të ditur se vendimi është marrë nga gjykatësit Delushe Halimi, Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri, të cilët kanë shfuqizuar udhëzimin që mundësonte kalimin në sistemin e ri digjital të arkave fiskale.

Sipas Muratit, ky vendim “absurd” e detyron shtetin të vazhdojë një sistem të vjetruar dhe të padrejtë për bizneset, të cilat do të kenë një barrë financiare prej mbi 5 milionë euro në vit për të mbajtur sistemin ekzistues.

“Ky vendim nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve,” përfundon ministri në detyrë.

The post “Ndalohet digjitalizimi, vazhdon zhvatja e bizneseve me arkat e vjetra fiskale” — Murati reagon pas vendimit të Gjykatës Supreme appeared first on Kosovapost.net.