Ndalja e bllokut A5 i kushton Kosovës afër çerek milioni euro në 24 orë, sipas Ymerit

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar, rreth orës 20:25, njësia A5 e Termocentralit “Kosova A” është ndalur nga operimi për shkak të një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet e sistemit gypor, në thellësi prej 10–15 metrash.

KEK thotë se ndalja është bërë në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, me qëllim parandalimin e defekteve më të mëdha dhe sanimin e nevojshëm të prishjes.

Ndaj kësaj situate ka reaguar anëtarja e LDK-së, Janina Ymeri. Sipas saj, vetëm për 24 orët e ardhshme, Kosova do të detyrohet të blejë energji në tregjet rajonale në vlerë minimale prej rreth 200 mijë eurosh për të zëvendësuar prodhimin e munguar.

Ymeri shton se njësia A5 ka siguruar të paktën 125 MWh energji para se të ndalej, ndërsa tani ky volum duhet të kompensohet përmes importit.

“Sanimi i Rrjedhjes së Ujit në bllok që për 24h kushton afër Çerek Milioni. Blloku A5 ndalet për sanim të rrjedhjeve të ujit. A5 i jep 125 MWh të paktën sot para se me u ndal. Me çmimin e Megawatit në bursë Alpex për nesër mesatar është 68 Euro, në bursën Hupx, 145 Euro. Për 24h me anë të bursave, minimalisht 200,000 Euro blerje rryme.Kështu ikin paratë e ardhmëria jonë përderisa QKUK harrnohet e nuk renovohet ndërsa afrohet dita kur do të na kërkohen paratë për rritjen e 4të e energjisë elektrike”.