Institucionet e Kosovës janë kritikuar për mosreagim të duhur e për shmangie të përgjegjësisë në rastet e arrestimit të qytetarëve kosovarë nga Serbia. Ish-zyrtarët e MPJD-së, thonë se Albin Kurti ka acaruar raportet duke e bërë të pamundur funksionimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.
Pas çdo arrestimi të shtetasve të Kosovës, nga autoritet serbe, kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë, drejtuar qytetarëve mbetet e njëjtë.
Shmangia e kalimit nëpër Serbi.
Ndër të tjera, MPJD në reagimin e mbrëmshëm ka thënë se pas marrjes së informacionit për arrestimin e Hazir Hazirit, është njoftuar Bashkimi Evropian e përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të QUINT-it, edhe kjo fjali e zakonshme pas të tilla rastesh.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Haziri dhe për të sqaruar arsyet ligjore të ndalimit të tij. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. Nëse ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëj kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit. Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre. MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës zotohet se do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kudo që ndodhen”.
Por, këto deklarime të MPJD-së, sipas ish-punonjësve të kësaj Ministrie janë vetëm fjalë të kota e hedhje e përgjegjësisë diku tjetër.
Ish-drejtori i Përgjithshëm në Ministri të Jashtme, Albert Prenkaj ka thënë se qasja e qeverisë Kurti ka sjellë acarimin e raporteve tek Zyra Ndërlidhëse që vepron në Beograd.
“Kjo deklaratë e imja që sot është shumë më vështirë sot me komuniku meqë qeveria Kurti e ka acaruare tej mase relaxionin i bënë mirë qeverisë Kurti në atë oreoin e tij etnonacional mirëpo ç’është e vërteta në praktikë kjo situatë e krijuar nga qeveria Kurti e ka vështirësuar shumë komunikimin e qarkullimin e qytetarëve të Kosovës në serbi, duke pas parasysh që edhe diskursi i presidentit Vuciq atje është në ngritje…”, ka theksuar ai.
Ai ka treguar se si kishin vepruar në të kaluarën kur kishin pasur raste të tilla.
“Nuk kanë asnjë mundësi të i ofrojnë qytetarëve ndonjë ndihmesë, në të kaluarën ka qenë situatë ndryshe ka vazhduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ka pas një marrëveshje gjentellmene ku përfaqësia jonë në Beograd apo zyra e Kosovës në Beograd ju ka ofruar një ndihmesë qytetarëve të paraburgosur u ka ofruar një lloj ndihmese edhe avokatëve që kanë përfaqësuar..”, ka deklaruar ai.
E në OVL-në e UÇK-së, tek thonë se institucionet e Kosovës duhet të kenë qasje më serioze shtojnë se edhe qytetarët duhet të kenë më shumë kujdes, duke shmangur çdo lloj kalimi kah Serbia.
“Dihet sepse shteti serb është i disponuar armiqsisht ndaj pjestarëve të UÇK-së dhe nuk është mirë që njerëzit të udhëtojnë nëpër Serbi, ka alternativa të tjera dhe është mirë që ti shmangen gjithmonë këtij udhetimi, psh ne që do e bëjmë udhëtimin në Hagë me bashkëluftëtarët tanë me autobusë kemi organizuar nëpër Shqipëri, nga Durrësi në Itali me target dhe pastaj nëpër të gjitha shtetet e Evropës, duke iu shmangur Serbisë”, ka deklaruar Fatmir Sopi- OVL e UÇK-së.
77 vjeçari Hazir Haziri, u arrestua në Merdarë, sipas autoriteteve serbe, nën dyshimin për krime lufte.