Ndalimi i ish-policit në Serbi, Morina: Qetësia në veri nuk i konvenon Vuçiqit

Ka tri vite që jeton në Gjermani.

E rrugën për vendlindje, Arbnor Spahiu vendosi ta marrë të shtunën.

Por, rruga e ish-pjesëtarit të Njësitit Special Operativ të Kosovës, u ndal në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë.

Në Horgosh, Spahiu u ndalua nga autoritetet serbe.

Ndërsa arsyet e arrestimit, i bëri të ditura avokati i angazhuar nga familja.

“Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Edhe pse ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”, ka njoftuar avokati Arianit Koci.

I kontaktuar gjatë ditës nga Tëvë1, avokati Koci ka treguar se tashmë ndodhet në Serbi për t’u marrë me këtë rast.

E se ky ndalim mund të lidhet me punën që dikur e bënte Spahiu, e thotë edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina.

“Kjo qetësi në Veriun e Kosovës dhe patrullimet e policëve në veri nuk i konvenon pushtetit të tanishëm të Vuçiqit i cili mundohet me çdo kusht t’i frikësoj dhe keqtrajtoj pjesëtarët e policisë dhe të zhvillojë një luftë speciale dhe hibride ndaj Kosovës”, shprehet Morina.

Por, Morina shton se policët e ish-policët, urdhërohen të mos kalojnë përmes shtetit serb.

“Brenda policisë është një urdhërese që në një mënyrë ose tjetër urdhërohen zyrtarët policor të të gjitha njësiteve që të kenë kujdes e të mos kalojnë përmes terrorit të Serbisë, për arsye se mund të ndalen e të keqtrajtohen e të arrestohen për gjëra të pakuptimta të cilat pushteti serb i bën vazhdimisht ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Morina.

Ndryshe, ditë më parë nga shteti serb, është ndaluar e më pas liruar, edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli.

The post Ndalimi i ish-policit në Serbi, Morina: Qetësia në veri nuk i konvenon Vuçiqit appeared first on TËVË 1 – Lexoje të vërtetën!.