Valerie Mahaffey, aktorja e njohur për rolet në serialet “Desperate Housewives” dhe “Young Sheldon”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një beteje me kancerin.
Lajmin e konfirmoi publicistja e saj, duke thënë se ajo ndërroi jetë të premten në Los Angeles.
Me një karrierë që shtrihet për mbi katër dekada, Mahaffey la pas bashkëshortin Joseph Kell dhe vajzën e tyre Alice, shkruan DailyMail.
“Kam humbur dashurinë e jetës sime dhe bota një aktore të rrallë”, u shpreh Joseph për Variety.
Homazhe të shumta u bënë në rrjete sociale, ku fansat kujtuan talentin e saj unik dhe rolet e paharrueshme në ekran.
Mahaffey ishte e njohur për interpretimet e saj në “Northern Exposure” – për të cilin fitoi një çmim Emmy – si dhe për paraqitjet në “Dead to Me”, “Echo 3”, “French Exit” dhe “Sully”.
E lindur në Indonezi nga një nënë kanadeze dhe baba teksan, Mahaffey nisi karrierën në Broadway para se të shpërthente në ekranin televiziv në fund të viteve të 70-ta.
Vajza e saj, Alice, ka ndjekur hapat e saj në botën e aktrimit.
“E di që do të të kërkoj në çdo moment të bukur të jetës”, shkroi Alice në një postim prekës në Instagram. “Të dua pafundësisht”.