Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka mare vendim që t’i mbështesë studentët e Luginës gjatë studimeve të vitin e ardhshëm akademik. Me vendimin që ka marrë sot, ky këshill u ndanë menjëherë bursat studentëve, por edhe ndihma financiare studentëve pa prindër dhe atyre me raste sociale.
“Me votim unanim në seancën e sotme, hapet rruga për fillimin e ekzekutimit të pagesave për bursat studentore, si dhe për ndihmën e njëhershme financiare për nxënësit që kanë humbur njërin apo të dy prindërit. Shuma e miratuar për secilin student përfitues me nga 661 euro. Ndërsa për çdo nxënës përfitues nga kategoria sociale me, shuma e miratuar është 515 euro”, ka shkruar Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar.
Ky është një hap konkret, sipas tij, në përkrahje të të rinjve shqiptar në Luginë, si pjesë e përkushtimit për një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
“Mbetemi të vendosur dhe të përkushtuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, që pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të jetë prioritet”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Rexhepi.
Ndryshe, kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka planifikuar 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun për vitin 2025. Këto shifra janë prezantuar në Projekt-buxhetin e Qeverisë që është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës. Në bazë të projeksionit buxhetor, Qeveria planifikon që edhe në vitet 2026 dhe 2027 të ndahen nga 2 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun.
The post Ndahen bursa për studentët e Luginës appeared first on Kosovapost.net.