NATO uron Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë: Gëzuar ditën kombëtare të aleatëve tanë shqiptarë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një mesazhi zyrtar në rrjetet sociale.

Në urimin e tyre, KFOR thekson rolin e Shqipërisë si një aleate e rëndësishme brenda NATO-s dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në misionin paqeruajtës në Kosovë.

“Gëzuar Ditën Kombëtare aleatëve tanë shqiptarë. Shqipëria është një nga 33 shtetet kontribuuese në misionin e KFOR-it,” shkruan misioni, duke e shoqëruar mesazhin me sloganin #StrongerTogether dhe #Albania.

Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009 dhe është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 10 vjetëve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.