Situata në katër komunat veriore të Kosovës vazhdon të jetë e qetë, por mbetet e brishtë pas mbylljes së strukturave paralele serbe.
Kështu ka vlerësuar një zyrtar i lartë i Divizionit për Operacione të NATO-s gjatë një takimi të mbyllur me gazetarë, ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit të Tëvë1.
Zyrtari i NATO-s tha se zhvillimet e fundit në veri, përfshirë sulmin në Banjskë dhe incidentin në kanalin Iber–Lepenc, vazhdojnë të jenë faktorë të ndjeshëm për situatën e sigurisë.
“Situata në Kosovë, gjegjësisht në katër komunat veriore, vazhdon të mbetet e qetë, por e brishtë pas mbylljes së strukturave paralele serbe, ndërrimit të tabelave dhe bllokimeve të rrugëve që kanë ndodhur atje”, deklaroi ai.
I pyetur për provokimet nga Serbia përmes dronëve në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, zyrtari konfirmoi se KFOR-i është i informuar dhe po ndjek zhvillimet nga afër.
“Ne jemi duke monitoruar situatën, meqë kemi parë disa raportime për dronë në hapësirat ajrore mbi pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, dhe jemi në kontakt me institucionet e Kosovës”, shtoi ndër të tjera.
Lidhur me sabotimin e kanalit Iber–Lepenc, NATO tha se ende nuk ka informacione shtesë, duke theksuar se çështja është në kompetencë të Policisë së Kosovës, me të cilën KFOR-i mbetet në koordinim të vazhdueshëm.
Zyrtari rikujtoi se NATO aktualisht ka mbi 5 mijë trupa të KFOR-it në Kosovë, me mandat për të garantuar paqen dhe sigurinë në terren.
“Sot KFOR-i ka rreth 5000 trupa në Kosovë, nga 29 aleatë dhe partnerë. Komandanti i KFOR-it është sërish nga Turqia, Ozkan Ulutas. i cili rimori pozitën në tetor pas një përvoje shumë të mirë në mandatin e parë atje. KFOR-i është përgjegjësi i tretë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Pra KFOR-i ka bashkëpunim me të dy organizatat, dhe disa javë më parë bënë bashkë stërvitjen Shpata 2025 (?!). Një nga asetet më të mëdha të KFOR-it është neutralitetit ndaj të gjitha palëve dhe komuniteteve. Një dëshmi e mirë e këtij neutraliteti është dialogu me të gjithë hisedarët, përfshirë gjeneralin e mbrojtjes së serbisë Milan Mojsiloviq, në takimin në Beograd, por edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Bashkëpunimi është i rëndësishëm që të sigurohet se nuk ka keqkuptime, dhe të mos shkaktohen trazira të panevojshme nga keqkuptimet eventuale”, theksoi ai.
NATO përsëriti kërkesën drejtuar Serbisë që autorët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të dalin para drejtësisë, ashtu si edhe përgjegjësit për sulmet ndaj trupave të KFOR-it në maj të vitit 2023, ku u plagosën disa ushtarë ndërkombëtarë.
Në fund, aleanca i bëri thirrje të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nën drejtimin e të dërguarit të BE-së, Peter Sorensen.











