Një zyrtar i NATO-s i ka thënë të enjten Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme në misionin që e ka kjo aleancë në Kosovë, KFOR.
Ky zyrtar e ka përmendur se forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, me ndryshimin e rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin.
REL-i i është drejtuar NATO-s për sqarime pas raportimeve të gazetës amerikane Politico, e cila duke cituar katër diplomatë të aleancës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga NATO-ja të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.
Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s është përmendur se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.
Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 600 trupa të angazhuar në misionin e KFOR-it dhe e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.
Megjithatë, zyrtari i NATO-s ka thënë se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.
REL-i veçse ka kërkuar më shumë informacion nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes* në këtë drejtim, si dhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.
Çfarë thuhet në artikullin e Politicos?
Sipas Politicos, në muajt e fundit Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak, dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.
Ky raportim vjen pasi vitin e kaluar ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund të tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje, u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.
SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.










