NATO merr vendimin historik në Hagë

Aleatët e NATO-s ranë dakord të më shumë se dyfishojnë objektivin e tyre për shpenzimet për mbrojtjen, nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Në një deklaratë të përbashkët, aleanca theksoi se ishte “e bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë”, veçanërisht nga kërcënimi afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe “kërcënimi i vazhdueshëm” nga terrorizmi.

“Aleatët angazhohen të investojnë çdo vit 5% të PBB-së për nevojat bazë të mbrojtjes, si dhe për shpenzimet e lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar detyrimet tona individuale dhe kolektive,” thuhet më tej në deklaratë.

Aleatët do të detyrohen të dorëzojnë plane vjetore “që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale drejt këtij objektivi,” sqaroi NATO-ja, pas kundërshtimeve të shprehura nga disa shtete anëtare, veçanërisht Spanja, shkruan A2 CNN.

Të mërkurën, aleanca gjithashtu ripohoi “angazhimin e palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive” siç përcaktohet në Nenin 5 – se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve – pas pikëpyetjeve të ngritura për besueshmërinë e SHBA-së në lidhje me këtë shtyllë themelore të NATO-s. (A2 Televizion)

The post NATO merr vendimin historik në Hagë appeared first on Kosovapost.net.