Natë në pritje pranë Liqenit të Ujmanit: 33-vjeçari ende nuk gjendet

Procesi i kërkimit për 33-vjeçarin, i cili dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit, është ende duke vazhduar.

Nga Shoqata së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (ShKKSh), për Klankosova.tv thanë se kërkimet kanë vijuar edhe në orët e vona të natës, përfshirë edhe me ndihmën e zhytësve profesionistë.

Nga ShKKSh-ja thanë se aty në Liqenin e Ujmanit do të jenë të pranishëm me ekipe tërë natën.

Ende nuk dihet nëse kërkimi do të vazhdojë edhe për pjesën tjetër të natës apo do të ndërpritet për shkak të thellësisë së madhe të ujit dhe errësirës, apo do të vazhdohet nesër në mëngjes.

Dyshohet se 33-vjeçari i cili ka disa ditë që ka ardhur në Kosovë, pasi jeton jashtë vendit, është ndalur në një nga urat e Liqenit të Ujmanit dhe pas zhytjes në ujë nuk është parë në sipërfaqe.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë Policia e Kosovës duke vënë perimetrin e zonës, ku dyshohet se mërgimtari ka rënë.

Përveç organeve kompetente, të pranishëm duke pritur lajm janë edhe familjarët, ndërkaq në vendngjarje është edhe një ekip mjekësor. /Klankosova.tv