Nata vendimtare / Interi sfidon super Arsenalin, emergjencë totale për Napolin në Kopenhagen

Champions League thërret Interin dhe Napolin në dy prova pjekurie shumë të ndryshme, por po aq të vështira. Në Milano zhvillohet një supersfidë kundër një prej skuadrave më në formë të Europës, ndërsa në Kopenhagen Napoli luan një ndeshje mbijetese, mes kundërshtarëve, klimës dhe emergjencave.

Në “San Siro” zbarkon Arsenali i Mikel Arteta, që sipas shifrave është aktualisht skuadra më e fortë e Europës: kryesuese në Premier League dhe perfekte në Champions me 6 fitore nga 6 ndeshje, 17 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar. Edhe pse vjen nga 0-0 me Nottingham Forest, skuadra londineze synon ta mbyllë grupin me pikë të plota (mungon vetëm Calafiori).

Përballë është Interi i Chivu, që vjen nga 8 fitore në 9 ndeshjet e fundit në kampionat, por edhe nga dy zhgënjime europiane në minutat e fundit. Fitorja është jetike për të shmangur “play off”-in dhe synuar kualifikimin direkt.

Krejt tjetër duket situata te Napoli. Trasferta në Danimarkë është një emergjencë totale. Conte përballet me një “psikozë dëmtimesh”. Mes mungesave apo dyshimeve janë Lukaku, De Bruyne, Anguissa, Gilmour, Meret; Politano është jashtë një muaj, Rrahmani dy javë, ndërsa Neres dhe Elmas nuk janë gati. Pa mundësi rotacioni, lojtarë si McTominay, Lobotka dhe Højlund luajnë ndeshjen e gjashtë në 16 ditë.

Në “Parken Stadium” është një ndeshje direkte; të dyja skuadrat kanë nga 7 pikë. Kush fiton, hedh një hap të madh drejt kualifikimit; kush humbet, rrezikon eliminimin. Napoli, që ka humbur 5 transfertat e fundit europiane, duhet të gjejë forca për të mos u rrëzuar në momentin më delikat të sezonit.

The post Nata vendimtare / Interi sfidon super Arsenalin, emergjencë totale për Napolin në Kopenhagen appeared first on Telesport.