Napoli, mesazhi i Conte: Duhet të flasim pak dhe të përpiqemi të bëjmë ende shumë

“Nuk do të mbarojmë kurrë së ju falënderuari për pasionin dhe entuziazmin që na transmetoni. E marrim këtë qasje me vete në fushë, duke ditur se mund të ecim vetëm përpara me pasionin tuaj”, – tha trajneri i Napolit, Antonio Conte, nga skena e ngritur në sheshin e “Castel di Sangro”, duke iu drejtuar turmës së tifozëve napolitanë.

Conte foli duke pasur gjithë stafin teknik dhe mjekësor të klubit pas shpine, para se në skenë të hynin lojtarët. “Ritakohemi, – theksoi ai, – pas një viti të mrekullueshëm, falë futbollistëve që bënë diçka të jashtëzakonshme. Sot i falënderoj edhe ata lojtarë që janë larguar, pasi kontribuan në fitimin e një titulli kampion. Kemi shkruar një faqe historie, tani duhet të flasim pak dhe të përpiqemi të bëjmë ende shumë”.

Nga e njëjta skenë mori fjalën edhe Lele Oriali, menaxher i ekipit: “Ju falënderoj për pritjen, jam shumë i lumtur. Do të them vetëm dy gjëra, nuk më kanë dhënë shumë kohë. Vijmë nga një sezon i jashtëzakonshëm, ku e merituam titullin, fitoi një skuadër e vërtetë.

Kur them skuadër e vërtetë, nënkuptoj edhe ju, jo vetëm lojtarët dhe stafin. Ishte triumf i arritur së bashku. Këtë sezon do të jetë shumë më e vështirë, do të kemi shumë më tepër angazhime se sezonin e kaluar. Kemi shkruar një faqe shumë të rëndësishme të historisë së Napolit, tani duhet ta kthejmë faqen dhe ajo është bosh; varet nga ne çfarë do të shkruajmë”.

Më pas shtoi: “Mbrëmë thashë se mungonte dikush, sepse kjo është familja jonë sportive, këtu mbështetemi dhe luftojmë së bashku. Por mbi të gjitha bazohemi në entuziazmin dhe pasionin tuaj, që e keni treguar edhe në momentet e vështira. Për këtë ju falënderoj”.

Për t’i mbyllur fjalimet mendoi kapiteni Giovanni Di Lorenzo: “Ka një entuziazëm të madh, ishte e drejtë ta bënim prezantimin e ekipit këtu në ‘Castel di Sangro’. Kam një mesazh për tifozët: Ju falënderoj, sepse ndihet entuziazmi. Për mua, por sidomos të sapoardhurit, është bukur ta ndiejmë pasionin dhe ngrohtësinë tuaj. Kjo i bën të rinjtë të kuptojnë në çfarë qyteti kanë ardhur të luajnë, një qytet që jeton me futbollin”.

Për sezonin e ri, kapiteni shtoi: “Ne duhet të jemi të zotë këtë sezon, ta shfrytëzojmë dhe ta ushqejmë entuziazmin tuaj si tifozë. Mendoj se nëse arrijmë të bëhemi një trup i vetëm si sezonin e kaluar, do të arrijmë të marrim shumë kënaqësi. Faleminderit sërish dhe forca Napoli!”

The post Napoli, mesazhi i Conte: Duhet të flasim pak dhe të përpiqemi të bëjmë ende shumë appeared first on Telesport.