Napoli, festë me fishekzjarre për ditëlindjen e Contes. Urime dhe emocione pa fund

Fishekzjarre si qirinj gjigantë mes njerëzve dhe një tortë me De Laurentiis dhe djemtë e tij. Gëzuar ditëlindjen, mister! Gëzuar ditëlindjen, Antonio Conte! 56 vite të mbajtura me një fizik prej protagonisti dhe qëndrim krenar si një admiral i marinsave, ose më thjesht si trajner kampion i Italisë,  që ende punon personalisht si sportist i vërtetë.

Autentik, i bën lojtarët të vrapojnë, por vrapon edhe vetë (i vetëm), stërvitet fort, nuk humbet asnjë ritëm. Gjithsesi, kjo është një histori më vete. Festë e dyfishtë për të mbyllur një ditë pune me dy seanca shumë të lodhshme në stadiumin “Teofilo Patini”.

Mëngjes dhe pasdite, me stërvitje rraskapitëse dhe kilometra të përshkuara, që i shteruan fizikisht lojtarët. Të gjithë, pa përjashtim, në fund të seancës fizike u shtrinë në bar për pak “stretching” dhe çlodhje, me trajnerin Antonio që iu dha dorën secilit prej tyre. Si për të thënë: mirë, bravo! E njëjta gjë do të vijojë.

Flakë në fushë dhe fishekzjarre jashtë, siç po thonim. Në orën 20:00, pas përfundimit të seancës së dytë stërvitore të ditës, u mbajt një spektakël piroteknik i organizuar dhe ofruar nga bashkia e Castel di Sangro, me kryetarin e bashkisë, Angelo Caruso, si mikpritës.

Ai ishte shpirti i festës, Conte ishte mbreti i kësaj mbrëmjeje. Fillimisht festa dhe përqafimi me tifozët në hapësirën mes stadiumit “Teofilo Patini” dhe “Palasport”, më pas një festë e vogël familjare e Napolit te “Aqua Montis”, baza e klubit në Rivisondoli. Darkë dhe tortë të gjithë së bashku, kush këndon dhe kush duartroket, kështu bëhet në grumbullim.

Ky quhet grup, kjo quhet skuadër. Në fakt, Conte kishte marrë një urim të madh me këngë për ditëlindjen që rreth orës 11 paradite, sapo kishte dalë në fushën e stadiumit për seancën e parë. Të paktën 2500 tifozë në tribuna kënduan “Gëzuar ditëlindjen mister”! Kënga u përsërit edhe pasdite, Conte përshëndeti dhe falënderoi ndërsa drejtonte ushtrimet taktike.

I pari që i bëri urimin trajnerit, të paktën publikisht, ishte Aurelio De Laurentiis. Pikërisht, në mesnatë: “I dashur Antonio, shumë urime nga unë, nga familja ime dhe nga i gjithë Napoli!”. Ky ishte mesazhi i publikuar nga presidenti përmes profilit të tij në “X” (ish-Twitter).

Një marrëdhënie shumë e thellë mes të dyve, miqësi e sinqertë që tejkalon lidhjen profesionale. Lidhje që përfshin edhe familjet. Conte, De Laurentiis dhe zonjat e tyre, Elisabetta dhe Jacqueline, ndër të tjera, kaluan së bashku disa ditë pas grumbullimit në Dimaro, në Ischia, ashtu siç ndodhi pas fitores së titullit dhe para rinovimit të “paktit azzurr”.

Edhe Juventusi, përmes profileve të veta në rrjetet sociale, i bëri urim për ditëlindjen Contes. “Gëzuar ditëlindjen, Antonio”, – ishte mesazhi drejtuar ish-kapitenit dhe ish-trajnerit. Një gjest dashamirësie dhe elegance ndaj një simboli të klubit bardhezi, edhe pse disa tifozë e shoqëruan me komente më pak festive, të ndikuar nga atmosfera e afërt e kampionatit. Gjëra futbolli.

 

The post Napoli, festë me fishekzjarre për ditëlindjen e Contes. Urime dhe emocione pa fund appeared first on Telesport.