Nagavci uron fillimin e vitit shkollor: Arsimi është çelësi për një të ardhme të ndritur

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2025-2026, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe bashkëpunimit për sukses.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Nagavci e ka cilësuar këtë moment si një udhëtim të ri të dijes, ku sfidat dhe mundësitë e reja presin të gjithë pjesëmarrësit në procesin arsimor.

“Sot nis një udhëtim i ri i dijes, i mbushur me sfida dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit tanë. Ky është momenti kur fëmijët kthehen me buzëqeshje në bankat shkollore, të etur për të mësuar, për t’u rritur dhe për të realizuar ëndrrat e tyre,” ka shkruar ministrja në detyrë.

Ajo ka theksuar se arsimi është çelësi për një të ardhme më të ndritur dhe të qëndrueshme për Kosovën dhe ka bërë thirrje për krijimin e një ambienti mbështetës dhe frymëzues për nxënësit.

“Uroj që ta nisni këtë vit shkollor me energji pozitive, përkushtim dhe shpresë, duke besuar fort në fuqinë e dijes suaj,” ka shtuar Nagavci.

Ministrja gjithashtu është shprehur e bindur se me bashkëpunimin e shkollave, prindërve dhe mësimdhënësve, sukseset në arsim nuk do të mungojnë.

The post Nagavci uron fillimin e vitit shkollor: Arsimi është çelësi për një të ardhme të ndritur appeared first on Kosovapost.net.