Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, pasi Izraeli ndërmori sulme ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke tronditur tregjet globale dhe shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Nafta amerikane dhe nafta Brent – referenca globale për çmimin e naftës – shënuan fitimet më të mëdha ditore që nga marsi i vitit 2022, pak javë pas agresionit rus në Ukrainë.
Treguesit kryesorë të naftës regjistruan gjithashtu rritjet më të mëdha javore që nga tetori i vitit 2022, shkruan AP.
Nafta amerikane u rrit me 7.26%, duke u mbyllur në afërsisht 72.98 dollarë për fuçi.
Nafta Brent u rrit me 7%, duke u mbyllur në rreth 74.23 dollarë për fuçi.
Gjatë ditës, çmimet kishin arritur deri në një rritje prej 14% për naftën amerikane dhe 13% për Brent.
“Për tregjet, vëmendja tani është përqendruar te mënyra se si mund të evoluojë dhe përshkallëzohet situata”, tha Jim Reid, strateg kërkimor në Deutsche Bank.
Më vonë gjatë ditës, Irani iu përgjigj sulmeve duke lëshuar qindra raketa balistike drejt Izraelit.
“Skenari kryesor përmes të cilit ky përshkallëzim mund të ndikojë ekonominë globale është rritja e çmimeve të naftës”, shkruajtën analistët e Capital Economics.
Rritja e çmimeve të naftës në nivel global mund të rindezë presionet inflacioniste, duke vështirësuar perspektivën për politikëbërësit si Rezerva Federale e SHBA-së.
Izraeli thotë se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa dhe se ‘‘pak prej tyre’’ kanë goditur objektiva

Ushtria izraelite ka deklaruar se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa drejt Izraelit të premten në mbrëmje dhe se vetëm “pak prej tyre” kanë goditur objektiva.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Effie Defrin, tha në një deklaratë me video se disa nga goditjet e raportuara ishin shkaktuar nga mbetjet e raketave të kapura nga sistemet e mbrojtjes ajrore, raporton CNN.
Defrin paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë sulme të tjera gjatë natës dhe u bëri thirrje civilëve të qëndrojnë pranë vendeve të strehimit.
Netanyahu paralajmëron më shumë goditje në zonat bërthamore: Ne luftën s’e kemi me popullin e Iranit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas kundërpërgjigjes së Iranit, drejt Tel Aviv dhe Jeruzalemit.
Netanyahu thotë se lufta e Izraelit nuk është me popullsinë e Iranit, por lidershipin. Ai paralajmëroi më shumë goditje kundrejt Iranit, në zona ushtarake dhe bërthamore.
Kryeministri izraelit iu drejtua qytetarëve iranianë, duke u bërë thirrje të ngrihen dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
Ai theksoi se qëllimi i Izraelit është të ndalojë kërcënimin bërthamor dhe të raketave që vjen nga Irani. “Teksa ne arrijmë qëllimin tonë, po hapim rrugën edhe për ju që të arrini lirinë tuaj,” tha ai.
Në fund, Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të bashkohet rreth flamurit dhe historisë së vet.
Ndryshe, rreth 150 raketa janë lëshuar nga Irani në drejtim të qyteteve kryesore të Izraelit në valën e parë hakmarrëse të Teheranit, që erdhi pas atij sulmi kirurgjikal të ushtrisë izraelite, që i mori jetën komandantëve kryesore të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarëve që çonin përpara programin bërthamor të vendit.
Sipas mediave në Izrael, IDF I ka njoftuar tanimë civilët se mund të largohen nga strehimoret e tyre sepse sulmi iranian ka mbaruar.
Të paktën shtatë vende në dhe përreth Tel Avivit u goditën nga sulmi me raketa iraniane ndaj Izraelit këtë mbrëmje, tha një zyrtar ushtarak izraelit për The New York Times, pa specifikuar shkallën e dëmit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes në reagimin e parë pas kundërpërgjigjes së Teheranit tha se “Irani e ka shkelur vijën e kuqe duke guxuar të lëshojë raketa në qendrat e popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët izraelitë dhe të sigurohemi që regjimi i ajatollahëve të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij kriminale”, tha Katz.
Ndërkohë, lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e paralajmëroi ofensivën hakmarrëse përkundrejt Izraelit përmes një postimi në platformën ‘X’ mbrëmjen e sotme, pak para se sulmi me raketa që goditën Tel Avivin dhe Jeruzalemin, të niste.
“Regjimi sionist ka bërë një gabim të madh, një gabim të rëndë dhe ka kryer një akt të pamatur. Me ndihmën e Zotit, pasojat e këtij veprimi do ta çojnë atë regjim drejt shkatërrimit. Kombi iranian nuk do të lejojë që gjaku i dëshmorëve të tij të vlefshëm të mbetet pa hakmarrje, dhe nuk do të injorojë shkeljen e hapësirës sonë ajrore”, tha Kahmenei.
Më tej lideri iranian shtoi se Forcat e Armatosura të vendit të tij janë të gatshme, dhe zyrtarët e lartë dhe i gjithë populli janë pas tyre.
“Sot, duhet t’i përgjigjemi fort identitetit të keq, të pështirë dhe terrorist sionist. Me ndihmën e Zotit, do të përgjigjemi me forcë dhe nuk do të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Jeta me siguri do të bëhet e hidhur për sionistët. Regjimi sionist nuk do të shpëtojë i sigurt nga ky krim i tmerrshëm që ka kryer. Kjo është e sigurt: Forcat e Armatosura të Republikës Islamike do të japin goditje të rënda kundër këtij armiku të keq sionist. Populli iranian është me ne. Ata mbështesin Forcat e Armatosura, dhe Republika Islamike do të triumfojë mbi regjimin sionist, me vullnetin e Zotit”, shtoi në vijim Khamenei.
Sulmi i Izraelit natën e kaluar shkaktoi vdekjen e disa komandantëve të lartë iranianë, përfshirë Hossein Salami, komandantin e përgjithshëm të Gardës Revolucionare Islamike.
Ministri i izraelit i Mbrojtjes: Irani kaloi vijat e kuqe, lëshoi raketa mbi civilë

Ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, thotë se Irani “ka kaluar vijat e kuqe pasi guxoi të qëllojë me raketa ndaj përqendrimeve të popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët e Izraelit dhe të sigurohemi që regjimi i Ajatollahut të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij të urryera”, shton ai.
Ndryshe, Irani sapo ka nisur valën e sulmeve ndaj Izraelit.
Së fundmi në rrjete sociale po qarkullojnë pamje të sulmit.
Sipas një deklarate nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur raketat.
Ndërsa qytetarët janë udhëzuar të kërkojnë strehim.
Sulmin e konfirmuan edhe vetë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Zëdhënësi ushtarak izraelit mohon raportimet e mediave iraniane për rrëzimin e një avioni luftarak

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka mohuar raportimet e mediave iraniane se një avion luftarak izraelit është rrëzuar dhe se piloti i tij është marrë peng.
Mohimi i Izraelit vjen pasi Irani nisi një valë të re sulmesh raketore hakmarrëse mbi Izraelin të shtunën në mbrëmje, pas sulmeve ajrore izraelite në të gjithë Iranin, raporton The Guardian.
Këto sulmet vranë komandantë dhe shkencëtarë.
Irani pretendon se ka rrëzuar të paktën dy avionë izraelitë në hapësirën ajrore iraniane
Irani pretendon se ka rrëzuar të paktën dy avionë izraelitë në hapësirën ajrore iraniane

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA, raportoi të premten në mbrëmje se të paktën dy avionë luftarakë izraelitë janë rrëzuar në hapësirën ajrore të Iranit.
Megjithatë, diçka të tillë CNN nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim dhe ka kërkuar koment nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
Izraeli thotë se ka shkatërruar infrastrukturën bërthamore në Isfahan

Izraeli tha se ka shkatërruar objektin bërthamor të Isfahanit në Iran.
Aeroplanët e Forcave Ajrore sulmuan vendin bërthamor, ku zhvillohet procesi i rikonvertimit të uraniumit të pasuruar, sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF).
Në një deklaratë, shtohet se kjo është faza tjetër në procesin e prodhimit të armëve bërthamore, raporton BBC.
IDF thotë se ka “shkatërruar një objekt për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorët dhe infrastrukturën shtesë”.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, deri tani nuk raportohet për të lënduar nga sulmet në Tel Aviv

Sulmet iraniane kanë rënë në një zonë brenda rajonit të Tel Avivit, por deri në këtë moment nuk ka raportime për të lënduar, sipas një zëdhënësi të policisë izraelite.
“Pak më parë, Policia e Izraelit mori raportime për rënie municionesh në një nga komunitetet brenda Distriktit të Tel Avivit. Në këtë fazë, nuk ka të lënduar, por është shkaktuar dëmtim prone,” tha zëdhënësi, raporton CNN.
“Oficerët e policisë dhe ekspertët për çminim janë aktualisht duke punuar për të izoluar vendet e goditjes,” shtoi ai.
Irani lëshon raketa drejt territorit izraelit, reagojnë Forcat Ajrore

Forcat Ajrore të Izraelit kanë reaguar menjëherë pas lëshimit të disa raketave nga territori i Iranit në drejtim të Izraelit, duke vendosur në gjendje alarmi disa zona të vendit.
Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetin social X (ish-Twitter), Forca Ajrore e Izraelit ka konfirmuar se një numër sirenash paralajmëruese janë aktivizuar pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani.
“Pak më parë, janë aktivizuar alarmet në disa zona të vendit pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit. Në këto momente, Forca Ajrore po punon për t’i ndaluar dhe goditur kërcënimet kudo që është e nevojshme, për të eliminuar rrezikun”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet izraelite i kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes Civile, duke shtuar se mbrojtja ajrore nuk është plotësisht hermetike dhe se ekziston ende rreziku nga sulme të tjera të mundshme.
לפני זמן קצר, הופעלו התרעות במספר מרחבים בשטח הארץ בעקבות גילוי טילים ששוגרו מאיראן לשטח מדינת ישראל.
בשעה זו חיל-האוויר פועל ליירוט ולתקיפה בכל מקום בו יידרש להסרת האיום.
הציבור מתבקש להישמע להנחיות פיקוד העורף.
ההגנה לא הרמטית, ועל כן יש להמשיך ולהישמע להנחיות פיקוד העורף.— Israeli Air Force (@IAFsite) June 13, 2025
“Do hapim portat e ferrit!” Komandanti i ri i Gardës Revolucionare Iraniane kërcënon Izraelin

Komandanti i sapoemëruar i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Pakpour, ka kërcënuar me hakmarrje të ashpër për sulmet izraelite që vranë paraardhësin e tij, Hossein Salami.
“Në hakmarrje për gjakun e komandantëve, shkencëtarëve dhe qytetarëve tanë të vrarë, portat e ferrit do të hapen së shpejti për këtë regjim që vret fëmijë”, tha Pakpour në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA.
Kush është Mohammad Pakpour?
I lindur në vitin 1961 në Arak, Irani qendror, gjenerali Mohammad Pakpour mban një diplomë master në gjeografi nga Universiteti i Teheranit dhe një doktoraturë në gjeografi politike nga Universiteti Tarbiat Modares.
Ai u specializua në menaxhimin e rajoneve kufitare të paqëndrueshme të Iranit dhe në zhvillimin e doktrinës së luftës asimetrike, shkruajnë mediat e huaja.
Karriera e hershme dhe përvoja në luftë
Ai iu bashkua Gardës Revolucionare (IRGC) dhe Forcës Quds menjëherë pas Revolucionit Islamik në vitin 1979 dhe u vendos menjëherë për të luftuar kundër grupeve të armatosura në provincën iraniane të Kurdistanit.
Gjatë Luftës Iran-Irak të viteve 1980, Pakpour komandoi disa divizione në vijën e frontit, duke përfshirë divizionin elitar të 8-të Najaf Ashraf dhe divizionin e 31-të Ashura.
Ai u plagos në luftë, por fitoi reputacionin si një komandant i qëndrueshëm dhe pragmatik besnik ndaj themeleve ideologjike të Republikës Islamike.
Ngritja në hierarkinë ushtarake
Pas luftës, ai mori role strategjike brenda IRGC-së.
Në vitin 2009, ai u emërua komandant i forcave tokësore të Gardës Revolucionare, ku udhëhoqi modernizimin dhe ristrukturimin e strategjisë ushtarake të Iranit përballë kërcënimeve të huaja në rritje.
Ai është dalluar veçanërisht në operacionet kundër terrorizmit. Ishte ai që urdhëroi vendosjen e njësive elitare Saberin gjatë sulmeve të ISIS-it në vitin 2017 në parlamentin iranian.
Marrëdhëniet dhe rëndësia ndërkombëtare
Bashkimi Evropian e sanksionoi atë në vitin 2021, së bashku me shumë komandantë të tjerë të IRGC-së, për ato që mediat iraniane i quajnë akuza të pabaza.
Analistët besojnë se emërimi i Pakpour, i njohur për disiplinën e tij operative dhe përvojën rajonale, përfaqëson një hap vendimtar në forcimin e rezistencës së Iranit.
Besohet se lidershipi i tij do të formësojë përgjigjen e Iranit ndaj agresionit të fundit izraelit.
Netanyahu: Trumpit i kemi treguar paraprakisht për sulmin ndaj Iranit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli ishte në koordinim me Shtetet e Bashkuara përpara sulmit ndaj Iranit.
Netanyahu tha se Trumpi ishte në dijeni të sulmit, teksa tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara, janë në dorë të presidentit amerikan.
“Ne u kemi treguar atyre paraprakisht, ata e dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë ata tani, ia lë në dorë Presidentit Trump – ai i merr vendimet e tij në mënyrë të pavarur”
“Nuk do të flas në emër të tij. Ai flet me bindje dhe vendosmëri dhe ka thënë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, nuk duhet të ketë kapacitete për pasurim”, tha Netanyahu, shkruan CNN.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë nga SHBA-ja në sulmet izraelite.
Ministri i Jashtëm iranian: Izraeli do të pendohet për agresionin e tij të pamatur

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thënë se Izraeli do të pendohet thellë për agresionin e tij të pamatur.
Abbas Araghchi bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gjithashtu i bëri thirrje këtij organi të “dënojë këtë akt agresioni”, raporton CNN.
“Sulmi ndaj Iranit ishte një akt i paligjshëm si dhe një përshkallëzim i pamatur dhe i qëllimshëm që shkeli në mënyrë flagrante kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat më themelore të së drejtës ndërkombëtare”, shkroi Araghchi.
“Izraeli tani ka kaluar çdo vijë të kuqe dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që këto krime të mbeten të pandëshkuara”, thuhej tutje në letër.
Iraku i kërkon Iranit të vazhdojë bisedimet me SHBA-në pas sulmit izraelit

Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Irakut, Fuad Hussein i kërkoi Iranit të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit.
Kështu është bërë e ditur përmes një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Irakut, raporton CNN.
“Ministri Hussein shprehu solidaritetin e Irakut me qeverinë dhe popullin iranian në përballjen me këtë përshkallëzim të rrezikshëm”, thuhet në deklaratë.
Hussein “i kërkoi palës iraniane të vazhdojë të ndjekë dialogun me Shtetet e Bashkuara përmes ndërmjetësimit të Omanit, në mënyrë që të arrijë zgjidhje që do të ndihmonin në uljen e tensioneve dhe rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.
Izraeli nis një valë të re sulmesh ndaj Iranit

Izraeli ka rifilluar sulmet ajrore në Iran dhe ka goditur objektin bërthamor të fortifikuar të Fordow, raportojnë The New York Times dhe mediat iraniane.
Shpërthime janë dëgjuar në disa zona të ndryshme të kryeqytetit Teheran.
Ndërkohë sapo ka reaguar edhe kreu i ri i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, pasi paraardhësi i tij u vra në sulmet ajrore izraelite gjatë natës.
Mohammad Pakpour thotë se Izraeli do të “vuajë një fat të hidhur dhe të dhimbshëm me pasoja të mëdha dhe shkatërruese”.
Deklarata shton se Irani do të “hakmerret” për të vrarët në sulm dhe vazhdon duke thënë se Izraeli po “shkel sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial” të vendit.
Të paktën 78 persona janë vrarë dhe 329 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore që goditën zonat e banuara në Teheran, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Nourneës.
Në sulmet e para, u eliminuan Komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami; Komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya, Gholamali Rashid; Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, dhe dy shkencëtarët Fereydoon Abbasi dhe Mohammad Mahdi Tehranchi. Në sulmet e reja u vra edhe drejtuesi i Forcave Ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh.
Të paktën 6 baza u goditën rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash, ku dyshohet se në të kaluarën janë përfshirë edhe teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç Tabrizit, në veriperëndim ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit. Sulme të reja u raportuan edhe në Kermanshah, në perëndim të vendit si edhe në centralin bërthamor të Natanzit, i goditur edhe më herët.
Irani thotë se midis të vdekurve ka edhe civilë, përfshirë fëmijë. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka kërcënuar se hakmarrja do të jetë e ashpër. Nga ana tjetër, Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ka mbyllur hapësirën ajrore ndërsa raportohet se mund të mbyllë edhe ambasadat e saj në botë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se goditën “zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore”, duke shtuar se shënjestër ishte impianti kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz. SHBA ka deklaruar se nuk është e përfshirë në sulm.
Ndërkohë, mbrojtja e Shtetit të Izraelit (IDF) njoftoi se shkatërruan dhjetëra lëshues raketash, objekte magazinimi dhe vende të tjera ushtarake në Iranin perëndimor.
Trump: Sulmet e Izraelit ndaj Iranit janë pozitive për tregjet

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për The Wall Street Journal se sulmet e Izraelit ndaj Iranit janë “në të mirë të tregut”, pasi sipas tij ato pengojnë Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore.
“Në fund të fundit, kjo është diçka shumë pozitive për tregjet, sepse Irani nuk do të ketë një armë bërthamore. Duhet të jetë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë tregut. Irani nuk do të ketë një armë bërthamore që ishte një kërcënim i madh për njerëzimin”, u shpreh Trump në një bisedë të shkurtër telefonike me gazetën.
Sipas The Wall Street Journal, Trump ka konfirmuar gjithashtu se ka komunikuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ditën e djeshme dhe planifikon të flasë sërish me të sot.
Ai po ashtu bëri të ditur se ekipi i tij ka qenë i informuar për planin e Izraelit për të ndërmarrë sulmin.
I pyetur nga gazeta se sa njoftim paraprak kishte marrë SHBA-ja për operacionin, Trump u përgjigj: “Njoftim? Nuk ishte një njoftim. Ishte: e dimë çfarë po ndodh”. Trump e cilësoi operacionin izraelit si “një sulm shumë i suksesshëm, për ta thënë butë”.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të rritura në Lindjen e Mesme, pas operacionit të përmasave të mëdha të Izraelit ndaj objektivave iraniane, duke përfshirë figura kyçe të Gardës Revolucionare dhe programit bërthamor iranian.
Sulmi izraelit, Irani thërret ambasadoren zvicerane për të paralajmëruar SHBA-në

Irani ka thirrur ambasadoren e Zvicrës në Teheran, Nadine Lozano, për t’i dorëzuar një paralajmërim zyrtar Shteteve të Bashkuara, duke e akuzuar Uashingtonin se ka bashkëpunuar në sulmin ajror të kryer nga Izraeli.
“Është e paimagjinueshme që veprimet agresive të regjimit sionist kundër Iranit të jenë kryer pa bashkëpunim, koordinim dhe të paktën një dritë jeshile nga SHBA-ja. Në këtë drejtim, SHBA-ja duhet të mbahet përgjegjëse për sjelljen e saj të paligjshme”, i tha përfaqësuesi iranian ambasadores Lozano, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane IRNA.
Në të njëjtin komunikim, Irani paralajmëroi gjithashtu kundër çdo forme mbështetjeje nga SHBA-ja për Izraelin, përfshirë përpjekjet për të penguar Teheranin të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje.
Kujtojmë që SHBA-ja dhe Irani nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike zyrtare, ndaj Zvicra shërben si ndërmjetëse dhe përfaqësuese e interesave amerikane në Teheran.
Izraeli përgatitet për ofensivë dhe mbrojtje, vendos trupa në “të gjitha frontet e luftës”

Ushtria izraelite ka nisur të vendosë trupa në të gjitha “arenat e luftimeve”, teksa sulmet ndaj Iranit vijojnë dhe vendi përgatitet për një përshkallëzim të mëtejshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, Associated Press, raporton se Izraeli ka thirrur rezervistë nga njësi të ndryshme ushtarake, si pjesë e “përgatitjeve për mbrojtje dhe ofensivë”.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur pritet një përgjigje e mundshme nga Irani, pas betimeve për hakmarrje ndaj sulmeve.
Raketa me rreze veprimi që kalojnë Kosovën e arijnë deri në Francë e Gjermani, Izraeli alarmon për rrezikun nga Irani

Forcat Ajrore të Izraelit kanë alarmuar se shteti i Iranit ka në pronësi raketa me rreze veprimi deri në 4 mijë kilometër, efekti i të cilave do të kapërcente rajonin, përfshirë edhe Kosovën dhe do të arrinte deri në Francë e Gjermani.
Në një video të publikuar në faqen e tyre zyrtare, Forcat Ajrore të Izraelit kanë treguar se deri ku arrin rrezja e veprimit të raketave iraniani dhe potencojnë se lënia e këtyre raketave në duart e regjimit iranian përbën rrezik për të gjithë rajonin dhe të gjithë botën dhe se duke parë një rrezik të tillë, s’kishin rrugëzgjidhje tjetër veçse të vepronin.
“Irani është një kërcënim global. Arsenali raketor i regjimit iranian përfshin raketa me rreze veprimi mijëra kilometrash. Lënia e këtyre raketave në duart e regjimit iranian përbën një rrezik për rajonin dhe të gjithë botën.Nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të vepronim”, thuhet në postimin e Forcave Ajrore të Izraelit.
Iran is a global threat.
The Iranian regime’s missile arsenal includes missiles with ranges of thousands of kilometers. Leaving these missiles in the hands of the Iranian regime poses a danger to the region and the entire world.
We had no other choice but to act. pic.twitter.com/vYKxXVxzF4
— Israeli Air Force (@IAFsite) June 13, 2025
Kryediplomati i Iranit: Izraeli do të “pendohet thellë”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghci, ka thënë se Izraeli do të “pendohet thellë” për atë që e cilësoi si “agresion të pamatur” ndaj Iranit, në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Në letër, Araghchi kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, duke i bërë thirrje trupit ndërkombëtar që të “dënojë fuqishëm këtë akt agresioni” dhe të “marrë masa urgjente dhe konkrete për ta mbajtur regjimin izraelit plotësisht përgjegjës për krimet e tij.”
Sulmin ndaj Iranit, Araghchi e përshkroi si “një akt të hapur dhe të paligjshëm”, si dhe një “përshkallëzim të qëllimshëm dhe të pamatur që shkel haptazi Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat më themelore të së drejtës ndërkombëtare.”
“Izraeli, regjimi më terrorist në botë, tani ka kaluar çdo vijë të kuqe, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të lejojë që këto krime të mbeten të pandëshkuara,” shkroi Araghchi.
Ai paralajmëroi se Irani do të përgjigjet në mënyrë “të vendosur dhe proporcionale”.
“Republika Islamike e Iranit do të veprojë me vendosmëri të plotë për të mbrojtur sovranitetin, popullin dhe sigurinë kombëtare të saj.”/Reporteri.net
Hakmarrja e mundshme e Iranit, ShBA lëviz anije luftarake drejt Lindjes së Mesme

“Associated Press” raporton, duke iu referuar dy zyrtarëve amerikanë, se ushtria amerikane ka nisur zhvendosjen e burimeve ushtarake, përfshirë anijeve luftarake, në rajonin e Lindjes së Mesme, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit dhe në pritje të ndonjë hakmarrje të mundshme nga Teherani, përcjell Reporteri.net.
Siç raportohet, Marina amerikane ka urdhëruar shkatërruesin USS Thomas Hudner të lundrojë drejt Mesdheut Lindor, ndërsa një tjetër shkatërrues është në lëvizje për të qenë në gatishmëri nëse kërkohet nga Shtëpia e Bardhë.
Njëri prej këtyre zyrtarëve ka deklaruar se Presidenti Donald Trump po zhvillon një takim me anëtarët kryesorë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën.
Trump pritet të zhvillojë sot një bisedë me Kryeministrin e Izrealit, Benjamin Netanyahu. Trump deklaroi të premten se sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit ishin “të shkëlqyera” dhe paralajmëroi për më shumë goditje në të ardhmen, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje bërthamore me SHBA-në./Reporteri.net
Iraku akuzon Izraelin për “shkelje sovraniteti”, thotë se përdori hapësirën e tyre ajrore për ta sulmuar Iranin

Iraku ka akuzuar Izraelin për “shkelje sovraniteti”, duke thënë se ka përdorur hapësirën ajrore të këtij vendi për ta sulmuar Iranin, raporton “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Për këtë, Iraku ka paraqitur ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, ka konfirmuar Ministria e Jashtme e Bagdadit.
“Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të sovranitetit të Irakut,” thuhet në deklaratën e ministrisë, e cila u bën thirrje Këshillit të Sigurimit “të marrë përgjegjësitë e tij” dhe të veprojë për të “parandaluar përsëritjen e këtyre shkeljeve”./Reporteri.net
Netanyahu pritet të bisedojë sot me Trump rreth sulmit ndaj Iranit

Kryeministri i Izrealit, Benjamin Netanyahu, pritet të flaës sot me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lidhur me sulmin ndaj Iranit, sipas një zyrtari izrealit.
Siç raporton CNN, ky zyrtar ka deklaruar se Netanyahu do të bëj një vlerësim të situatës sot, pa përcaktuar orën, përcjell Reporteri.net.
Se Trump do të bisedojë me Netanyahun e ka konfirmuar edhe një zyrtar amerikan.
Trump deklaroi të premten se sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit ishin “të shkëlqyera” dhe paralajmëroi për më shumë goditje në të ardhmen, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje bërthamore me SHBA-në.
Në një intervistë telefonike me shefin e korrespondentëve të ABC News në Washington, Jonathan Karl, Trump tha: “Mendoj se ka qenë e shkëlqyer. Ne u dhamë atyre një mundësi dhe ata nuk e shfrytëzuan. U goditën fort, shumë fort. U goditën sa më fort që mund të goditeshin. Dhe ka edhe më shumë që do të vijë. Shumë më shumë.”
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kishin ndonjë rol në sulmin izraelit, Trump u përgjigj: “Nuk dua të komentoj për këtë.”/Reporteri.net
Trump: I dhashë Iranit ultimatum 60-ditor, sot jemi në ditën e 61-të

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se i kishte dhënë Iranit një ultimatum 60-ditor për një marrëveshje bërthamore përpara sulmeve të Izraelit, por shtoi se Teherani tani ka një shans të dytë.
“Dy muaj më parë i dhashë Iranit një ultimatum 60-ditor për të ‘bërë një marrëveshje’. Ata duhet ta kishin bërë! Sot është dita e 61-të. U thashë atyre çfarë të bënin, por ata thjesht nuk mundën ta arrinin atë. Tani ata kanë, ndoshta, një shans të dytë!” tha Trump në një postim në Truth Social.
Izraeli kreu një sulm masiv ajror ndaj më shumë se 100 objektivave në Iran mbrëmë, përfshirë kompleksin bërthamor Natanz, impiantin qendror të pasurimit të uraniumit në Iran.
Sulmi është pjesë e një operacioni ushtarak të quajtur “Luani në Ngritje”, qëllimi i të cilit, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është të “neutralizojë kërcënimin ekzistencial” që paraqet programi bërthamor i Iranit.
/Reporteri.net/
“S’keni parë gjë akoma” – Trump e vlerëson “shkëlqyeshëm” sulmin ndaj Iranit: E kishin shansin, nuk e shfrytëzuan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit ishin “të shkëlqyera” dhe paralajmëroi për më shumë goditje në të ardhmen, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje bërthamore me SHBA-në, shkruan Reporteri.net
Në një intervistë telefonike me shefin e korrespondentëve të ABC News në Washington, Jonathan Karl, Trump tha: “Mendoj se ka qenë e shkëlqyer. Ne u dhamë atyre një mundësi dhe ata nuk e shfrytëzuan. U goditën fort, shumë fort. U goditën sa më fort që mund të goditeshin. Dhe ka edhe më shumë që do të vijë. Shumë më shumë.”
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kishin ndonjë rol në sulmin izraelit, Trump u përgjigj: “Nuk dua të komentoj për këtë.”
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përcjell gazeta online Reporteri.net, Trump akuzoi Iranin për dështimin e bisedimeve të gjata për një marrëveshje bërthamore dhe e lidh këtë dështim me vendimin e Izraelit për të ndërmarrë sulmin parandalues.
“I dhashë Iranit shans pas shansi për të bërë një marrëveshje. U thashë, me fjalët më të forta, ‘vetëm bëjeni’, por sado që u përpoqën, sado pranë që ishin, nuk mundën ta përfundonin,” shkroi ai.
Në të njëjtin postim, Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër për Teheranin: “Tashmë ka pasur shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër – me sulme edhe më të egra të planifikuara – të ndalet. Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Persiane”.
Merz, Macron e Starmer telefonatë të përbashkët për sulmin e Izraelit ndaj Iranit

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kanë biseduar mes vete lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Bisedën mes tyre e ka konfirmuar një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Sipas këtij zëdhënësi, ata janë pajtuar që të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për këtë çështje.
“Sot ata diskutuan për sulmet izraelite kundër programit bërthamor iranian dhe përgjigjen ushtarake të Iranit, dhe ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë,” ka deklaruar zëdhënësi./Reporteri.net
Izraeli mbyll ambasadat nëpër botë pas sulmit ndaj Iranit

Izraeli po mbyll ambasadat e tij në të gjithë botën dhe u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të mos shfaqin simbole hebraike ose izraelite në vende publike, thanë deklaratat e postuara në faqet e internetit të ambasadave të premten pasi Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit.
Sipas Reuters, deklaratat thanë se Izraeli nuk do të ofronte shërbime konsullore dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunonin me shërbimet lokale të sigurisë nëse përballeshin me aktivitet armiqësor.
Nuk u dha asnjë afat kohor për sa kohë do të mbylleshin ambasadat.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit, misionet izraelite në të gjithë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen”, thuhet në deklaratë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten, tha se Gjermania po rrit mbrojtjen e vendeve hebraike dhe izraelite.
Siguria e dukshme u rrit jashtë Sinagogës së Madhe të Stokholmit, me një furgon policie dhe një makinë të parkuar pranë ndërtesës, tha një dëshmitar i Reuters./Reporteri.net/
Erdogan: Sulmet e Netanyahut që po i vënë flakën botës duhet të ndalen

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, dënoi sulmet e Izraelit ndaj Iranit, duke i quajtur ato një “provokim të qartë” dhe duke paralajmëruar se qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po përpiqej ta fuste rajonin në katastrofë.
“Sulmet e Netanyahut dhe rrjetit të tij të masakrave, të cilat po i vënë flakën të gjithë rajonit tonë dhe botës, duhet të parandalohen”, tha Erdogan në një postim në X, duke shtuar se Ankaraja po monitoronte nga afër zhvillimet në rajon. /Reporteri.net/
İsrail, Gazze başta olmak üzere bölgemizi kana, gözyaşına ve istikrarsızlığa boğma stratejisini bu sabah itibarıyla çok tehlikeli bir aşamaya taşımıştır.
İsrail’in komşumuz İran’a düzenlediği saldırılar, uluslararası hukuku hiçe sayan apaçık bir provokasyondur.…
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) June 13, 2025
Presidenti i Iranit: Do ta bëjmë Izraelin të pendohet për aktin e tij të pamend

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, në një fjalim drejtuar kombit, tha se përgjigjja do të ishte legjitime dhe e fuqishme, pas sulmit izraelit.
Ai gjithashtu u bëri thirrje iranianëve të besojnë në udhëheqjen e tyre dhe të qëndrojnë pranë tyre.
Siç raporton Reuters, “përgjigja e vendit të tij do ta bëjë Izraelin të pendohet për aktin e tij të pamend”.
Irani tashmë ka konfirmuar se sulmet izraelite vranë gjeneralin Amir Ali Hajizadeh, kreun e programit raketor të Gardës Revolucionare, sipas AP.
Ushtria izraelite tha se komandanti i forcës së dronëve të Iranit dhe shefi i komandës ajrore u vranë gjithashtu në sulm.
Udhëheqësi i Gardës Revolucionare paraushtarake të Iranit, gjenerali Hossein Salami, dhe shefi i shtabit të forcave të saj të armatosura, gjenerali Mohammad Bagheri, u konfirmuan gjithashtu të vdekur, raportoi televizioni shtetëror iranian. /Reporteri.net/
Mossadi publikon pamjet se si dy agjentë izraelitë komandojnë sulmin preciz nga brenda Iranit

Shërbimi sekret i Izraelit ka nxjerrë në publik pamjet që tregojnë për përgatitjen e sulmit preciz ndaj Iranit, që deri tani thuhet se ka lënë të vrarë tre top-ushtarakët iranianë.
Në një prej pamjeve të publikuara, sipas “Mossad”-it, janë dy agjentë izraelitë të cilët komandojnë sulmin preciz të ndodhur sot dhe se janë të vendosur brenda territorit të Iranit.
CRAZY footage: Mossad operatives inside Iran deploying precision strike systems to destroy Iranian air defenses. pic.twitter.com/DIbAFaBnWx
— Clash Report (@clashreport) June 13, 2025
Siç raportohet, Izraeli kishte arritur të ndërtonte një bazë dronësh brenda territorit iranian prej ku edhe ka sulmuar disa prej caqeve.
İran’da istihbarat zafiyeti mi yaşandı?
“Mossad diyor ki, biz içeriye adam sızdırdık, hazırlık yaptık, dron üssü kurduk. Hava savunma sistemini etkisiz hale getirdik.”
Independent Türkçe Genel Yayın Yönetmeni @nevzatcicek #GünOrtası‘nda @hulyahokenek‘e anlattı. pic.twitter.com/Uofaw9WU8h
— Habertürk TV (@HaberturkTV) June 13, 2025
Reuters: Të paktën 20 komandantë të lartë iranianë të vrarë në sulmin izraelit

Të paktën 20 komandantë të lartë iranianë, përfshirë kreun e Gardës Revolucionare, Komandantin e Forcave Hapësinore Amir Ali Hajizadeh, u vranë në sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit, thanë dy burime rajonale për Reuters.
Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit, Izraeli ka goditur përsëri objektin bërthamor të pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit.
Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars transmetuan lajmin për sulmin, duke raportuar se sulmet e Izraelit ishin ende në vazhdim disa orë pasi kishin filluar para agimit, siç transmeton Associated Press.
Izraeli godet sërish objektin bërthamor të Iranit, sulmet vazhdojnë në disa qytete

Izraeli raportohet se ka goditur përsëri objektin bërthamor të pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit.
Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars transmetuan lajmin për sulmin, duke raportuar se sulmet e Izraelit ishin ende në vazhdim disa orë pasi kishin filluar para agimit, siç transmeton Associated Press.
Televizioni shtetëror raportoi gjithashtu sulme në Shiraz dhe Tabriz. /Reporteri.net/