Muzika ime flet për ata që nuk kanë zë – R&B Pop-i është zemra ime

Artisti i ri flet për rrugëtimin e tij nga dhoma e fëmijërisë deri në skenë, ëndrrën e madhe dhe mesazhin për të rinjtë që hezitojnë të besojnë tek vetja

Blendiar Bytyçi është një nga zërat më të veçantë të gjeneratës së re, që i jep jetë ndjenjave përmes tingujve të R&B Pop-it. Me një stil të sinqertë, tekstet e tij lidhen me shpirtin e kujtdo që ka nevojë të ndihet i kuptuar.

Blendiari beson se muzika është streha ku çdo emocion merr zë dhe nuk heziton të ndajë me publikun edhe anën e tij më të brishtë. Për të, çdo këngë është një thirrje për të mos u ndjerë kurrë vetëm.

Në këtë rrëfim për Telegrafi, ai tregon se si një ëndërr fëmijërie u kthye në profesion, çfarë e mban gjallë në ditët e vështira dhe pse nuk do të ndalet kurrë së shkruari këngë që flasin për të pathënat.

Blendiar, si lindi dëshira jote për muzikën dhe kur vendose ta nisësh seriozisht këtë rrugë?

Muzika ka qenë pjesë e imja që në fëmijëri. Më kujtohet kur dëgjoja këngë në dhomën time dhe humbisja në botën time. Por momenti kur vendosa ta ndjek seriozisht ishte kur fillova shkollën e mesme të muzikës. Aty kuptova se kjo nuk është thjesht një pasion, por një profesion dhe një rrugë që më përfaqëson më së miri.

Pse zgjodhe R&B Pop? Çfarë gjen tek ky zhanër?

Sepse aty gjej shpirt. R&B Pop të lejon të jesh i ndjeshëm, i vërtetë, por edhe me ritëm. Më pëlqen mënyra si ky zhanër të jep lirinë për t’u shprehur në të gjitha mënyrat e mundshme, pa kufizime.

Si ndryshoi kënga jote e parë mënyrën se si e sheh veten si artist?

Kënga e parë ishte si një pasqyrë. Deri atëherë, e shikoja muzikën si diçka që më pëlqente. Pas saj, e pashë veten si dikush që ka diçka për të thënë – dhe që e thotë përmes tingujve.

Si është pritur muzika jote deri tani? Ke marrë ndonjë reagim që të ka prekur veçanërisht?

Për fat të mirë, ka pasur shumë dashni dhe mbështetje. Sigurisht që ka reagime dhe mesazhe të përditshme nga njerëz që e shprehin dhe ndiejnë muzikën time në mënyra të ndryshme, dhe që më bëjnë të ndihem mjaft mirë si artist. Kjo është më shumë se muzikë për mua.

Çfarë ndjesish do që të ngjallësh tek publiku me këngët e tua?

Dua që kur dikush dëgjon një këngë timen, të ndiejë sikur po e përshkruaj jetën e tij. Të ndihen të kuptuar, të shoqëruar dhe ndoshta, më pak vetëm.

Ka ndonjë moment apo varg në këtë këngë që të lidhet veçanërisht emocionalisht?

Sigurisht që ka vargje që më lidhin me këngët, pasi shumicën e tyre i kam shkruar vetë. Njëra nga këngët që do të veçoja është “Copë copë”. Nuk ka ndonjë arsye të drejtpërdrejtë, por është kënga e parë që e kam punuar, edhe pse ka dalë e dyta në publik.

Kush janë frymëzimet e tua muzikore? Nga cilët artistë ke mësuar më shumë?

Ka shumë artistë që i kam dëgjuar dhe, natyrisht, i kam pëlqyer, por ndoshta artisti që më ka lënë më shumë mbresë dhe dëshirë për ta dëgjuar gjithmonë është Ramadan Krasniqi – Dani.

Çfarë surprizash po përgatit tani në projektet e tua të reja?

Tani sapo kam përfunduar një këngë të re që do të publikohet së shpejti. I jam përshtatur kohës dhe e kam realizuar një këngë më ritmike. Shpresoj që të pritet mirë nga publiku.

Sa e rëndësishme është për ty mbështetja e publikut në këtë fazë?

Publiku e mban një artist – pa mbështetjen e tyre, nuk jemi asgjë. Ata janë arsyeja dhe motivi pse ne punojmë dhe krijojmë sa më shumë këngë.

Si është Blendiar kur fiket drita e skenës, si kalon një ditë të zakonshme?

Shumë i qetë. Më pëlqen të jem me miqtë, të dëgjoj muzikë, të shkruaj ose thjesht të ec në natyrë. Kam nevojë për balancë mes skenës dhe qetësisë.

Cila është ëndrra më e madhe për karrierën tënde?

Të kem një koncert ku njerëzit këndojnë fjalët e mia më fort se unë. Dhe të jem një zë për ata që ndihen të padëgjuar.

Ka diçka që publiku nuk di ende për ty dhe do të doje ta ndaje?

Ndoshta sepse shkruaj shumë më tepër këngë sesa publikoj. Po ashtu, përveç muzikës R&B-pop, merrem në mënyrë profesionale edhe me muzikën klasike, ku shkruaj në mënyrë të vazhdueshme vepra për formacione të ndryshme.

Çfarë të mban të motivuar kur gjërat bëhen të vështira?

Ideja se gjithmonë ka dikë që po pret këngën time të radhës dhe fakti që muzika është mënyra ime më e mirë për të shprehur veten.

Si do t’i inkurajoje të rinjtë që hezitojnë të ndjekin ëndrrën e tyre?

Mos prit të jesh gati. Fillimi është gjithmonë i frikshëm, por ëndrra bëhet realitet vetëm kur do e nisesh rrugën.

Në fund, për ata që të dëgjojnë për herë të parë: çfarë e bën Blendiarin unik?

Unik jam në mënyrën si flas për ndjenjat – pa filtra, pa frikë. Nuk përpiqem të jem dikush tjetër. Thjesht unë, i sinqertë dhe emocional. /Telegrafi/