Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, është shprehur optimist se statusi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të zgjidhet me finalizimin e procesit të negociatave Kosovë-Serbi.
Një çështje e tillë sipas tij figuron edhe në agjendën amerikane, shkruan “Zeri.info”.
“Lugina e Preshevës është pjesë shpirtërore e territorit të Republikës së Kosovës. Prandaj, nuk është me rëndësi të madhe nëse do të jetë apo nuk do jetë pjesë e ekipit negociator të shtetit të saj”.
Kështu ka deklaruar Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) për Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili gjatë një interviste dhënë Gazetës “Zëri” ka thënë se përfshirja e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës në delegacionin shtetëror të Kosovës do të krijonte një situatë qesharake para botës.
Pavarësisht faktit që askush nga Kosova Lindore nuk është pjesë e ekipit shtetëror për negociatat me Serbinë, Mustafa është shprehur i bindur se në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi do të arrihet përfundimisht një zgjidhje për shqiptarët e Luginës. Që të punojnë për ta zgjidhur çështjen e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, siç ai është shprehur, institucionet e Kosovës janë obliguar në forma dhe me dokumente të ndryshme. Madje, çështja e Luginës sipas tij tashmë zë vend edhe në agjendën amerikane.
Rrjedhimisht, Kryetari i PDSH-së është shprehur optimist se me përmbylljen e negociatave, Kosova do ta marrë njohjen nga Serbia dhe Lugina do t’i bashkëngjitet Republikës së Kosovës.
Institucionet e Kosovës, të obliguara për ta zgjidhur çështjen e Luginës
Teksa e ka vlerësuar të panevojshme përfshirjen e përfaqësueve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në ekipin negociator, Ragmi Mustafa ka thënë se një skenar i tillë do të nënkuptonte sikur dy grupacione po diskutojnë me Serbinë.
“Përfshirja edhe e një ekipi numerik nga Lugina në bisedimet Prishtinë-Beograd do të krijonte një situatë shumë komike para botës së qytetëruar, sikur më shumë se dy ekipe futbolli të shqiptarëve bisedojnë me Serbinë, duke ndërtuar njëkohësisht mosbesimin politik mes nesh në këtë nënqiell shqiptarësh në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar ai.
Sipas kreut të PDSH-së ekzistojnë disa aryse se pse nuk është e nevojshme përfshirja e shqiptarëve të Pershevës, Medvegjës e Bujanocit, në delegacionin për dialog. Një ndër to, siç Mustafa ka deklaruar, është edhe rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e miratuar tashmë nga Parlamenti i Kosovës, përcjell “Zeri.info”.
“Pika 6 e kësaj rezolute ‘Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës’, obligon ekipin negociator që të vendosë me kujdesin më të madh të mundshëm në lidhje me statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, është shprehur Mustafa.
Po ashtu, duke qenë se bisedimeve Kosovë-Serbi po iu vie fundi, ai ka vlerësuar se nuk është e nevojshme, aq më parë e domosdoshme, përfshirja e politikës shqiptare nga Lugina në bisedimet e Brukselit. Por kjo sipas të parit të PDSH-së në asnjë rrethanë nuk nënkupton që ekipi negociator të mos ndiejë përgjegjësi ndaj shqiptarëve të “okupuar” në Luginë të Preshevës.
Shqiptarët e Luginës presin të dalin nga “robëria”
Gjatë bisedës Ragmi Mustafa është shprehur optimist se shqiptarët e Kosovës Lindore do të dalin nga “robëria” së shpejti. Një gjë e tillë sipas tij ka rëndësi tejet të madhe.
“Përfundimisht, besojmë në angazhimin e secilit personalitet në Kosovë për t’i nxjerrë shqiptarët e Luginës së Preshevës nga robëria shekullore. Kjo është gjëja më e madhe, mbase edhe fitore përafërsisht e madhe sa edhe Pavarësia e Kosovës”, ka theksuar Mustafa gjatë intervistës.
Për të ardhur deri te kjo, që të punojnë për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, Mustafa ka thënë se institucionet e Kosovës janë obliguar me forma dhe dokumente të ndryshme.
“Në Deklaratën politike të të zgjedhurve legjitimë shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, përkatësisht këshilltarët shqiptarë të tri kuvendeve komunale në Luginë të Preshevës, unanimisht është kërkuar e njëkohësisht është ngarkuar Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca e Republikës së Kosovës, për statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës konform Referendumit të 1- 2 marsit 1992 për bashkëngjitje më Republikën e Kosovës”, ka potencuar ai.
Uniteti politik forcon Kosovën në dialog
Gjersa për serbët e Kosovë sipas Mustafës përkujdeset Serbia, shqiptarët e Luginës nuk kanë kurrfarë arsye që të mos iu besojnë institucioneve të Kosovës.
“Tek e fundit nëse për statusin e pakicës serbe në Kosovë flet dhe kujdeset Beogradi zyrtar, atëherë pse ne të mos iu besojmë autoriteteve të Prishtinës zyrtare, edhe atë kushdoqoftë në krye të negociatave”, ka nënvizuar ai.
Ndërkaq ka vlerësuar se formimi i ekipit shtetëror të Kosovës përbën një hap më afër unitetit politik, në drejtim të formësimit të shtetësisë së Kosovës së shpallur para njëmbëdhjetë vjetësh.
“Ky unitet politik në Kosovë, por edhe pritjet për bashkëngjitje të subjekteve tjera politike të pakyçura gjer tani, pa dyshim se do ta fuqizojë Kosovën në një pozitë më të lartë madhërie në krahasim me homologët e tyre nga Beogradi zyrtar”, ka theksuar ai.
Rrjedhimisht, Kryetari i PDSH-së është shprehur i bindur se pala kosovare do të arrijnë në mënyrë të unifikuar t’i përmbyllë bisedimet shumëvjeçare me Serbinë dhe t’iu japë fund problemeve shekullore midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkanin Perëndimor.
Zgjidhja historike
Teksa ka folur për zgjidhjen e çështjes së Luginës, Mustafa ka thënë se edhe vetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar deklarativisht kërkesën institucionale e legjitime të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për bashkim me Kosovën, bazuar në verdiktin e popullit shqiptar në Luginë (1992).
“Prandaj, nuk kemi asnjë dyshim se çështja e Luginës së Preshevës do të jetë pjesë e platformës së ekipit negociator të Kosovës. Në këtë rast dua të nënvizoj se Presheva, Medvegja e Bujanoci janë njëkohësisht edhe në agjendën amerikane në gjithë këtë proces shumë kompleks që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet shqiptarëve e serbëve”, ka potencuar ai.
Pas finalizimit të procesit të negociatave Mustafa ka konsideruar se njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë një prej zgjidhjeve historike. Gjithashtu ai është shprehur i vendosur se në fund të këtij rrugëtimi edhe Lugina do t’i bashkohet Republikës së Kosovës.
“Në përmbyllje të këtij dialogu Prishtinë- Beograd, së paku gjer tani me shumë të panjohura, konsideroj se një prej zgjidhjeve të mëdha dhe historike është njohja e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, si dhe një zgjidhje tjetër është ajo që do t’i japë Republikës së Kosovës nuancën më të shkëlqyer të ngjyrës së saj pavarësie, pikërisht bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, gjë që përgjithmonë do të konvertojë shumë toponime të regjionit Preshevë, Medvegjë e Bujanoc gjer tani, në të vetmin emërtim meritor ‘Kosovë Lindore’”, ka potencuar ai.