Mustafa: Gjykata është më shumë jokushtetuese sesa kushtetuese
Po trumbetohet se kjo qeveri u tregua e guximshme në rritjen e pagave përmes Ligjit për Pagat, me një kosto të re prej rreth 120 milion euro. Kështu ka shkruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmend një shkrimi të gjatë në profilin e tij në Facebook, flet për këtë ligj që kaloi në Kuvend, dhe meritat që po marrin kryesisht deputetë e liderë të partive në pushtet.
“Thuhet se arsimtarët tanë dhe mjekët do të marrin pagat më të larta në regjion, se shërbyesit civil mund të krahasohen me ata të vendeve evropiane sa u përket pagave. Për këtë flet Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Shefi i GP të PDK-së, zëdhënësi I Qeverisë, Ministri i Shëndetësisë… Flasin të gjithë ata që s’merren vesh me buxhetin dhe ekonominë. Flasin për vota. Sipas kësaj bie se jemi më të zotët, më të diturit, më të mirët! Të tjerët në regjion, që janë më të zhvilluar sesa ne, nuk po dinë t’i rrisin pagat”, ka shkruar Mustafa.
Sipas Mustafës, asnjëri prej tyre nuk flet për faktin se jemi vendi më i varfër në Evropë dhe në regjion.
“Se mezi arrijmë të mbulojmë importin me 10 për qind eksport, se pagat në sektorin privat, ku kemi trefishin e të punësuarve në krahasim me sektorin publik, janë shumë më të ulëta; jemi vendi me shkallën më të lartë të papunësisë prej rreth 30%, kurse nga rreth 2 miliard të hyra buxhetore mbi 1.4 miliard janë destinuar për paga dhe transfere sociale, duke ul kapacitetin për investime dhe zhvillim”, ka shkruar Mustafa.
Kryetari i LDK-së, thotë se standardi familjar i arsimtarëve, mjekëve, policëve, shërbyesve civil… dhe askujt nuk do të rritet vetëm duke ua rritur atyre pagat, por duke hapur vende të reja pune për të papunët, që janë edhe familjarë të tyre.
“Prandaj, asnjë mendje e shëndoshë nuk arsyeton se duhet të mburremi me veprime të tilla dhe me vendime të tilla. Përpos logjikës zhvatëse. Këtij vendimi po i atribuohet se është jokushtetues. Për sa i përket kësaj, në këtë vend ka humbur kuptimi i asaj çfarë është kushtetuese e çfarë jo. Shtrohet pyetja se kush mund të pres që një Gjykatë, e kapur, Kushtetuese e cila lejoi rritjen 100% të pagave të Qeverisë, tani do të thotë që një Ligj për Pagat qenka jokushtetues. Më lehtë do të thonin se vet Gjykata është më shumë jokushtetuese sesa kushtetuese”, ka përfunduar Mustafa.