Mustafa: Askënd nuk duhet ta pengojë ndërtimi i Xhamisë së Madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar në lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Sipas tij, askënd nuk duhet ta pengojë ndërtimi i kësaj xhamie, kjo pasi ndërtime të tilla të objekteve fetare ka në gjithë botën.

Mustafa, përmes një shkrimi në “Facebook”, thotë po ashtu se duhet krenuar për besimin fetar, jo të turpërohemi, njëjtë siç krenohen në të gjithë botën.

“Protestat janë pjesë e ekspozimit demokratik. Sikurse kjo e sotmja kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 për qind myslimanë. Por në vend që të turpërohemi, do të duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë”, ka shkruar Mustafa.

Kreu i LDK-së në fund e ka inkurajuar kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin për vazhdimin e punës në të mirë të ndërtimit të kësaj xhamie.