Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke e cilësuar këtë si shqetësim serioz në raport me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare.
“Vazhdimi i paraburgimit ndaj z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi përbën një shqetësim serioz në raport me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe parimin e proporcionalitetit,” ka deklaruar Musliu për IndeksOnline.
Ajo ka theksuar se, përkundër mungesës së zhvillimeve të reja që do të arsyetonin mbajtjen e tyre në paraburgim, janë propozuar masa alternative të sigurta që nuk janë marrë në konsideratë.
“Mungesa e zhvillimeve të reja që justifikojnë mbajtjen e tyre në paraburgim, përkundër propozimeve për masa alternative të sigurta, e bën këtë masë gjithnjë e më pak të arsyetueshme juridikisht,” ka shtuar deputetja e PDK-së.
Sipas saj, zgjatja e paraburgimit në mungesë të rrethanave të reja objektive bie ndesh me parimet themelore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Paraburgimi nuk mund të përdoret si zëvendësim për dënimin, dhe zgjatja e tij, në mungesë të rrethanave të reja objektive, bie në kundërshtim me frymën dhe tekstin e nenit 5 të KEDNJ-së,” përfundoi Musliu.