Eksperti i sigurisë, Agim Musliu që është kryetar i bordit të institutit “Octopus”, ka thënë se nisma e Aleksandar Arsinijeviq për të krijuar të ashtuquajturat “Roje të Lagjes” u prezantua si një rezistencë qytetare dhe jo e dhunshme. Por, faktet, thotë ai, po flasin ndryshe.
“Zbulimi dhe konfiskimi i armëve nga institucionet e sigurisë shpërfaqë një realitet shqetësues: qëllimi nuk ishte vetëmbrojtja, por organizimi i celulave të strukturuara me potencial terrorist”, thotë Musliu.
Sipas ekspertit të sigurisë, të gjitha gjasat tregojnë se pas kësaj skeme fshihen kanale mbështetëse të drejtpërdrejta nga Serbia, përmes Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Serbisë dhe rrjeteve të saj të sigurisë.
“Ky nuk është aktivizëm – është një skenar i rrezikshëm për destabilizim dhe minim të rendit kushtetues në veri të Kosovës”, thotë eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Një ditë më parë në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Prokurorisë, me mbikëqyrje nga KFOR dhe EULEX, është kryer një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur një arsenal armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblona, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.
Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb, Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste.
The post Musliu: ‘Rojet e Lagjes’, maskim i rrezikshëm i celulave terroriste appeared first on Kosovapost.net.