Eksperti i sigurisë, themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, i ka lidhur deklaratat e zëvendëskancelarit gjerman Lars Klingbeil për rrezikun që paraqet partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), me situatën politike në Kosovë.
Sipas Musliut, nëse një demokraci e konsoliduar si Gjermania e sheh AfD-në si kërcënim serioz për rendin kushtetues, atëherë Kosova ka arsye shumë më të forta për ta trajtuar Listën Serbe si rrezik të ngjashëm.
“Gjermania është një nga demokracitë më të konsoliduara në botë dhe e sheh AfD-në si kërcënim serioz për shkak të narrativave nacionaliste dhe afërsisë me Kremlinin. Ndërsa Kosova, një shtet ende në proces konsolidimi, ka brenda saj një subjekt të ngjashëm me AfD-në – Listën Serbe – e cila funksionon si instrument i Beogradit për të cenuar dhe penguar shtetësinë e Kosovës. Ku është logjika? Një parti që vepron brenda institucioneve të Kosovës, por punon hapur për shkatërrimin e tyre”, ka shkruar Musliu.
Ai ka rikujtuar se lideri de facto i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është i përfshirë në një sërë aktesh kriminale dhe terroriste, përfshirë edhe sulmin e armatosur në Banjskë, sulmet ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës, si dhe dyshimet për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Organet e drejtësisë duhet të veprojnë urgjentisht, të hetojnë dhe të marrin masa konkrete kundër një subjekti që brenda institucioneve punon për t’i shkatërruar ato”, theksoi ai.
Instituti “Octopus” në maj të këtij viti ka publikuar analizën “Lista Serbe dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD): Ngjashmëritë dhe Dallimet”, ku janë trajtuar paralelet mes këtyre dy partive dhe rreziqet që ato paraqesin për rendin demokratik.
The post Musliu për deklaratat e zëvendëskancelarit gjerman: Lista Serbe rrezik më serioz për Kosovën sesa AfD për Gjermaninë appeared first on Kosovapost.net.