Musk po largohet nga administrata e Trumpit

Elon Musk dha edhe një sinjal se po tërhiqet nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë në një takim në Shtëpinë e Bardhë sot se ishte një nder të punonte me kabinetin e Trumpit.

Musk u tha investitorëve se do të rikthehej te Tesla ndërsa pritet që të ndalojë angazhimet në qeveri deri në fund të këtij muaji.

“Ju jeni trajtuar padrejtësisht, por shumica dërrmuese e njerëzve në këtë vend ju respektojnë dhe ju vlerësojnë jashtëzakonisht shumë, dhe e gjithë kjo sallë mund ta thotë këtë me bindje. Ju keni qenë një ndihmë e jashtëzakonshme”, i tha Trump, Muskut. “Je i ftuar të qëndrosh sa të duash. Në një moment, besoj, do të dëshirojë të kthehet në shtëpi, te veturat e tua”, shtoi lideri amerikan, shkruan cnn.

Kabineti e duartrokiti Muskun, i cili tha se i kishte kursyer 160 miliardë dollarë qeverisë federale — ndjeshëm më pak se objektivi fillestar prej 2 trilionë dollarësh. Por, muajt e fundit ai kishte filluar ta zbusë këtë pretendim, duke thënë në janar se 1 trilion do të ishte një “rezultat epik”.

“Shumë gjëra janë në proces. Ai numër mund të dyfishohet, madje edhe të trefishohet”, tha 78-vjeçari.

Trump e ka pranuar disa herë se Musk, në një moment, do të duhej të largohej dhe të rikthehej te kompanitë e tij.

Më herët këtë muaj, u raportua për një debat me zë të lartë mes Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, dhe Muskut — që zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti “pjesë e një procesi të shëndetshëm debati”.

Musk gjithashtu është përplasur me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për shkurtimet në Departamentin e Shtetit.