Pas dëmtimit të tmerrshëm të Musiala në Kupën e Botës për klube, në një përplasje me portierin Donnarumma, lojtari dha një përditësim mbi gjendjen e tij. Operacioni që kreu doli me sukses dhe ai pritet të rikthehet në fushë në fund të këtij viti.
Pas atij dëmtimi (një fibulë e thyer dhe ligamente të këputura) pati polemika të konsiderueshme rreth ndërhyrjes së portierit, i cili u sulmua ashpër nga Neuer. Ditët në vijim, Courtois dhe vetë presidenti i PSG-së folën në mbrojtje të italianit.
Gjithsesi, fjalët më të rëndësishme ishin ato të vetë lojtarit dhe Musiala, në një video, kërkoi të shfajësonte Donnarumma: “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, do të thotë shumë për mua. Është mirë të shohësh botën e futbollit të bashkuar“.
“Operacioni ishte një sukses i plotë dhe ndihem mirë. Doja vetëm të thoja se nuk është faji i askujt, gjëra të tilla ndodhin në futboll”, u shpreh ylli i Bayern Munich në një postim në rrjetet sociale.
“Do t’i përdor këto muaj për t’u rikthyer në formë dhe për t’u rikthyer më i fortë se më parë. Mezi pres t’ju shoh të gjithëve përsëri në fushë“, tha Jamal Musiala.
The post Musiala shfajëson Donnarumma: Nuk është faji i askujt, këto gjëra ndodhin në futboll appeared first on Telesport.