Murseli: Nuk e pagova, as s’e porosita vrasjen e gruas time

Naim Murseli është zotuar para trupit gjykues se nuk ka gisht në atentatin e kryer ndaj bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademaj.

I akuzuari për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023, tha sot në seancën gjyqësore se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar të akuzuarin tjetër Granit Plavën për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Murseli ka insistuar se në momentin kritik ka qenë rreth 20 deri në 30 metra larg veturës.

“Kur kam shkuar në shtëpi kam qëndruar me Leonardin, vëllain e tij Davled, djalin e axhës së tyre. Unë nuk kam paguar, nuk kam porositur dhe nuk e kam ndihmuar Granit Plavën me vrarë gruan time. Dhe siç thashë, ju betohem në dy fëmijët e mi se Naim Murseli nuk ka qenë në veturë kur është vrarë. Kam qenë 20-30 metra larg. Çdo gjë tjetër është shpifje. Komunikimi im me fëmijët nuk është aq i shpeshtë, arsye është se ata janë ku janë ne e kemi ditën e martë kur flasim dhe në atë kohë fëmijët janë në shkollë, nuk kam si flas me ta. Kam folur disa herë nga qendra”, tha ai.

Ai foli edhe për raportet familjare pas ngjarjes.

“Kushtrimi është i vetmi person nga familja që rri më të në Kosovë. Djalë të dajës (Kushtrimi). Nuk ekzistojnë ndonjë marrëdhënie (me familjen e Liridonës) pas kësaj që ka ndodhur, pas kësaj situate, sigurisht që këta besojnë që ka ndodh kjo që ka ndodh. I kuptoj familjen Ademaj, nuk i paragjykoj”, tha ai.

Pas përfundimit të kësaj pjese të seancës, trupi gjykues vendosi që shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së Ademajt të vazhdojë më 11 shkurt.