Muriqi pas fitores: Për atmosferën në “Fadil Vokrri” ia vlen edhe të vdiset

Autori i golit të barazimit, sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas fitores ndaj Çekisë me rezultat 2:1, ka pranuar se ndeshja me çekët ka qenë e lodhshme fizikisht, por thotë që për publikun dhe atmosferën që krijohet në stadiumin “Fadil Vokrri” ia vlen edhe të vdiset.

“Në gjithë këtë atmosferë këtu ia vlen edhe të vdesësh”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes, shkruan Gazeta Express.

Teksa ka folur për momentin e kthesës dhe barazimin e rezultatit vetëm katër minuta pasi ishin ndëshkuar nga çekët, Muriqi ka thënë se kanë arritur të fitojnë pastaj ndeshjen me përkrahjen e publikut.

“Pasi e barazuam rezultatin shpejtë, arritëm që të fitojmë këtë ndeshje edhe me përkrahjen e publikut. Siç thash, s’ka mbet asnjë pikë energji. Po ia vlen për këtë stadium për këtë popull që ta lëmë shpirtin”, ka shtuar tutje Muriqi.

Ai thotë se ndeshja e sotme ka qenë prej më të vështirave sa i përket aspektit fizik, por thotë se ajo me Anglinë do të jetë edhe më e vështirë.

“Deri sot ka qenë një prej ndeshjeve më të forta fizikisht, por na pret edhe një ndeshje me e fortë fizikisht se kjo ndeshje”, ka përfunduar sulmuesi i Galatasary.