Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij është e përcaktuar që për postin e nënkryetarit të Kuvendit ta zgjedhin dikë që nuk vjen nga Lista Serbe.
Murati ka pohuar se për këtë nismë kanë ftuar edhe subjektet tjera politike, por që ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Deri më tani vetëm Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar për përcaktimin që për postin e nënkryetarit të Kuvendit, që sipas Kushtetutës duhet të vijë nga komuniteti serb, të zgjedhet dikush që nuk vjen nga Lista Serbe. Gjithashtu, ne i kemi ftuar edhe partitë tjera PDK/LDK/AAK që të na bashkohen në këtë nismë, pra për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb ta zgjedhim dikë që nuk vjen nga Lista Serbe. Por deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje pozitive nga PDK/LDK/AAK për këtë çështje”, ka shkruar Murati.
“Besoj që qëndrimi për temën e nënkryetarit e tregon më së miri se cilat parti ende presin dhe shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe, e ato janë PDK/LDK/AAK”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, që nga 9 shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, vendi ka mbetur pa zgjedhur institucionet e reja, kjo pasi LVV ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por subjektet tjera politike kanë deklaruar se nuk do ta votojnë.
The post Murati thotë se PDK, LDK dhe AAK ende shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe appeared first on Kosovapost.net.