Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati përmes një statusi në “Facebook” ka shkruar se Serbia ka filluar një fushatë kinse duhet bërë kompromise të rënda për Kosovën, por njëkohësisht duke theksuar se edhe Serbia diçka duhet të fitojë. Kjo është një taktikë, që Serbia të rris pazarin e vet, duke e parë sidomos indolencën e vazhdueshme të palës kosovare.
“Qëllimi i tyre është që të thellohet jo-funksionaliteti i Kosovës, që edhe ashtu është jofunksionale edhe me zgjidhjet aktuale kushtetuese. Nëse duhet për diçka të bisedojmë me Serbinë dhe atë ta bëjmë guximshëm është kërkesa për zgjidhje të njëjtë për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun. Reciprociteti, ky duhet të jetë parimi i marrëdhënieve tona me Serbinë”, ka shkruar Murati.