Murati-Ramës: Sa akuzon, kërko nga LDK të votojë për konstituim të Kuvendit

Ministri në detyrë i Punës, Transfereve dhe i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, se qeveria ka bllokuar buxhetin e komunës, derisa, e vërteta, sipas Muratit është se buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale deri më 30 shtator, pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor, transmeton KosovaPost.

Në një postim në “Facebook”, ministri Murati bëri të ditur se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as më 30 shtator e, madje, as më 31 tetor.

“Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratuar projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore. Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim-plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit.  Siç e dini, Kuvendi tash e sa muaj po mbahet i bllokuar nga opozita që po e shkel Kushtetutën duke mos votuar”, ka shkruar Murati.

Tutje, ministri Murati vuri në pah se tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjidhet qeveria e re, mund të inicohet plotësim-ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.

“Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës”, thuhet në fund të postimit.

 

The post Murati-Ramës: Sa akuzon, kërko nga LDK të votojë për konstituim të Kuvendit appeared first on Kosovapost.net.