Murati: Pezull, ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se si shkak i mos formimit të legjislaturës së nëntë, ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit, rrjedhimisht buxhetet e tri komunave.

Murati ka bërë të ditur se në mesin e këtyre komunave është edhe Prishtina, teksa ka thënë se sipas tij, partia qeverisëse në kryeqytet është një nga shkaktarët e bllokimit në Kuvedin e Kosovës.

“Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina. Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse”, ka shkruar ai në facebook.

Murati më tej ka fajësuar kryetarin Përparim Rama për shkelje të Ligjit për Financa Publike dhe të Prokurimit Publik.

“Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik. Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka vazhduar ai.

The post Murati: Pezull, ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit appeared first on Kosovapost.net.