Murati për Administratën Trump II: Na ka zënë indiferentë

Valon Murati, profesor dhe kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar zhvillimet ndërkombëtare pas ardhjes në pushtet për herë të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Murati ka shkruar se Administrata II e ka zënë Kosovën si indiferentë.

“Trampi, ndonëse shumicën e politikave që po i ndjek me shpejtësi dhe dinamikë të paparë i ka thënë në fushatë, prapë se prapë bota vazhdon të mbetet gojëhapur. Administrata Tramp 2 ka zënë në befasi fqinjët e SHBA-ve. Ka zënë në gjumë krejt botën arabe. Ka zënë të papërgatitur dhe në kaos Evropën. Ka zënë në pozitë pa përgjigje (për të mos thënë të pashpresë) Ukrainën. Ndërsa ne? Ne na ka zënë indiferentë. Indiferencë që vazhdon me komoditet, sikur të jemi qendra e botës, e jo një vend i brishtë i cili nëse di të pozicionohet dhe e di çfarë do, mund të përfitojë nga ndryshimet në rendin ndërkombëtar, e nëse vazhdon me indiferencë edhe mund ta pësojë (me izolim, injorim, destabilizim e moszhvillim)” – ka shkruar ai.