Murati paralajmëron se Kryesuesi Dehari nuk do ta hedh në votim raportin për mandatet, kërkon zgjedhje të reja

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pak minuta para fillimit të seancës së tretë për konstituimin e Kuvendit, ka marrë rolin e ekspertit të Kushtetutës dhe sipas tij, vetëm zgjedhjet e reja janë rrugëdalja për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka paralajmëar se raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve s’do të hidhet në votim, meqë sipas tij “një çështje për të cilën Kuvendi ka vendimmarrje, nuk mund të hidhet në rivotim. Votimi është konsumuar”

Ndonëse Kushtetuta e thotë të kundërtën, pra që dëshmimi për konstituimin e Kuvendit nuk e çon vendin në zgjedhje të reja, Murati duke e dramatizuar situatën e duke fajësuar opozitën, thotë se “procesi duhet të kthehet në pikën zero – pra një proces i ri zgjedhor i cili prodhon një legjislaturë të re e cila, ka sensin që të pranojë mandatin e dhënë nga populli”.

Në pikën 126 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, thuhet se Gjykata vëren se në Kushtetutën e Republikës së Kosovës askund s’parashihet që dëshmimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Postimi i Muratit:

Po më duket që disa ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka bërë opozita me 15 prill.

Raporti për verifikim të mandateve më 15 prill, u hodh në votim, dhe u refuzua si rezultat i votave të PDK, LDK, AAK, dhe Listës Serbe.

Një çështje për të cilën Kuvendi ka vendimmarrje, nuk mund të hidhet në rivotim. Votimi është konsumuar.

Në rivotim çështja hidhet vetëm nëse herën e parë nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje, siç ka qenë rasti në vitin 2014, me vetëm 44 deputetë që kanë marrë pjesë në votim herën e parë.

Pas këtij vendimi katastrofal të opozitës, vendimmarrja në Kuvend gjendet e bllokuar para një muri të pakapërcyeshëm. Deputetët s’mund të japin betimin, sepse kanë refuzuar verifikimin e mandateve të veta.

Një refuzim i tillë sikurse ky i partive të opozitës, nuk ka ndodhur asnjëherë.

Praktikisht, kjo i bie se deputetët kanë refuzuar mandatin, dhe procesi duhet të kthehet në pikën zero – pra një proces i ri zgjedhor i cili prodhon një legjislaturë të re e cila, ka sensin që të pranojë mandatin e dhënë nga populli.

E vetmja rrugë tjetër për të evituar skenarin e zgjedhjeve të reja, është një dakordim unanim politik, ku vetëm deputetët që kanë refuzuar mandatin me votën e tyre, tërhiqen dhe ua lëshojnë vendin e tyre kolegëve tjerë nga i njëjti subjekt. Një gjë e ngjashme kishtë ndodhur në legjislaturën që lamë pas me deputetët e Listës Serbe.