Murati: Një aktakuzë absurde politike, Rubini iu përgjigj me realitetin politik

Analisti Valon Murati ka komentuar dëshminë e ish-diplomatit të lartë amerikan James Rubin para Gjykatës Speciale.

Ai ka lavdëruar dëshminë e ish-zyrtarit amerikan.

Në profilin e tij në “Facebook”, Murati ka shkruar se një aktakuze absurde politike, Rubini iu është përgjigjur me realitetin politik.

“Dhomat e Specializuara janë prodhim i një konteksti të caktuar ndërkombëtar dhe presioni të partnerëve të Kosovës të cilët mendonin se me një lëshim tjetër ndaj Rusisë dhe Serbisë, mund të afrohej njohja e Kosovës nga to. Kjo kohë politike ka kaluar, për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm, por këto dhoma na mbetën relikt i asaj kohe. Sidoqoftë ato janë një relikt shumë i dëmshëm. Andaj si prodhim politik, nuk mund të pritej që prokuroria do të ndërtonte ndonjë rast tjetër, përveç një rasti të pastër politik. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërtuar një narrativë, që i përngjan një bote paralele, nga ajo në të cilën kemi jetuar, se Kosova dhe shqiptarët i kanë pasur punët mirë, por një grusht kriminelësh (si ndërmarrje e përbashkët kriminale) një ditë të bukur me diell u çuan dhe e krijuan UÇK-në dhe e strukturuan dhe organizuan në mënyrë të përsosur (të cilës edhe ushtritë e NATO-s kur janë në konflikte të armatosura do t’ua kishin marrë lakminë) për të marrë dhe ushtruar pushtet (cilin pushtet në Kosovën e robëruar?) dhe për të luftuar civilët serbë dhe kundërshtarët politik. Qasje krejt absurde, jashtë realitetit, e shtrembëruese e të vërtetave faktike historike”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera për deshminë e tij.

“Dhe nëse gjeneratat e reja në Kosovë, dhe jashtë saj (nesër gazetarë e studiues të huaj) e lexojnë aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (në rastin Thaçi dhe të tjerët, por njësoj është edhe në rastet në të cilat janë dënuar Cali e Pjetër Shala), dhe ajo përfundon me dënime, do të mund të krijojnë një përshtypje krejtësisht të rreme mbi atë që ka ndodhur në Kosovë, jo në fillim të shekullit të kaluar, por në fund të tij. Kështu që dëshmia e James Rubin-it, kishte elemente të qarta të shpërfaqjes së rrethanave reale politike të kohës, krejtësisht të shtrembëruara nga prokuroria. Një prej më të bukurave ishte kur u shfaq me figurë dhe zë një podcast i tij i korrikut të këtij viti, ku ai shpërfaq absurditetin e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë duke ndërtuar raste për periudhën kur 95% e krimeve ishin kryer nga një shtet i mirë organizuar me Millosheviqin në krye”, ka shkruar ai.