Murati: Kushtetuta jonë po ia mundëson Vuçiqit të luaj me Kosovën

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati përmes një shkrimi në profilin e tij në FB ka deklaruar se “janë ligjet dhe Kushtetuta jonë ato që ia mundësojnë Vuçiqit e Serbisë të luaj me institucionet e shtetit tonë”. Prandaj, sipas Muratit “ato duhet të ndryshohen për të pamundësuar këtë defunksionalizim të Kosovës”

Ja postimi i plotë i Valon Muratit:

Presidenti serb Vuçiq e paska bërë të qartë taktikën serbe për zgjedhjet në veri. Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje, t’i fitojë ato, dhe të nesërmen të japin dorëheqje.

Kjo është një lojë që Serbia ka kohë që po e luan dhe synojë ta luaj me Kosovën për shkak që korniza e saj kushtetuese dhe ligjore e mundëson këtë. Me mekanizmat dhe instrumentet ligjore dhe kushtetuese të Kosovës ta delegjitimojë dhe defunksionalizojë shtetin e Kosovës sa më shumë.

Kjo bëhet e mundshme mbi të gjitha për shkak të Kushtetutës së Kosovës, përvjetorin e së cilës e festuam para disa ditësh. Por kushtetutat e ligjet, nuk janë të përjetshme e as nuk duhet të trajtohen si të ngurta. Kushtetutat e ligjet duhet t’u përshtaten rrethanave shoqërore dhe vullnetit të qytetarëve.

Kur kushtetuta është në shpërputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve, ndryshohet kushtetuta e jo qytetarët. Kështu, ne kemi nevojë që duke mos qenë të ngurtë e mendjeshkurtër, të kuptojmë nevojën e ndryshimeve kushtetuese.